Kanadaja dhe Filipinet nënshkruajnë pakt mbrojtës kundër Kinës
Kanadaja dhe Filipinet, të dyja kritike të forta ndaj veprimeve gjithnjë e më shtrënguese të Kinës në Detin e Kinës Jugore, nënshkruan të dielën një marrëveshje kyçe mbrojtjeje për të forcuar stërvitjet luftarake dhe për të zgjeruar aleancat e sigurisë me qëllim pengimin e agresionit, njoftuan zyrtarët.
Kanadaja dhe vende të tjera perëndimore kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në rajonin Indo-Paqësor për të ndihmuar në promovimin e sundimit të ligjit dhe për të zgjeruar tregtinë dhe investimet në këtë zonë. Kjo strategji përputhet me përpjekjet e presidentit Ferdinand Marcos Jr. për të ndërtuar lidhje mbrojtëse me vende të tjera, në mënyrë që ushtria e Filipineve, e cila ka fonde të kufizuara, të përballet me Kinën, ushtarakisht superiore, në ujërat e kontestuara, raporton AP.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Kina, e cila ka akuzuar Filipinet se janë një “shkaktare problemesh” dhe një “sabotuese e stabilitetit rajonal” pas patrullimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera në Detin e Kinës Jugore.
Pekini pretendon pothuajse të gjithë hapësirën detare, në të cilën përvijojnë rrugët kryesore tregtare, pavarësisht një vendimi arbitrazhi të vitit 2016 që i shpalli të pavlefshme këto pretendime, bazuar në një konventë të OKB-së të vitit 1982.
Kina e ka hedhur poshtë vendimin dhe ka përdorur topa uji të fuqishëm dhe manovra bllokuese të rrezikshme kundër anijeve të rojes bregdetare filipinase, por edhe mjete të tjera, duke shkaktuar përplasje dhe lëndime të ekuipazheve. Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani janë gjithashtu të përfshirë në këto mosmarrëveshje territoriale që zgjasin prej kohësh.
Ministri i Mbrojtjes së Filipineve, Gilberto Teodoro Jr., nënshkroi ‘Marrëveshjen për Statusin e Forcave Vizituese’ me homologun e tij kanadez, David McGuinty, pas një takimi me dyer të mbyllura në Manila, të dielën.
McGuinty tha se marrëveshja do të forcojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake, shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në trajtimin e emergjencave, përfshirë reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.
Teodoro u tha gazetarëve se kjo marrëveshje do të jetë thelbësore për nxitjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, në një rajon të kërcënuar nga agresioni i Kinës. “Kush është hegjemoni? Kush dëshiron të zgjerojë territorin e tij në botë? Kina,” tha Teodoro.
