Kameri pas zgjedhjeve: Ky s’është fundi, është fillimi i një kapitulli të ri për Gjakovën
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Asamblenë Komunale të Gjakovës, Erion Kameri, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke theksuar se për të kjo garë ishte më shumë se numra.
Në një postim në rrjete sociale, Kameri, i cili garoi me numrin 4, tha se edhe pse rezultati nuk ishte ai që pritej, fushata ka qenë një përvojë e vlefshme që ka treguar besimin dhe energjinë e re që po ngrihet në qytet.
“Nuk është e lehtë me e pranu që nuk arritëm aty ku deshëm. Por kjo garë s’ka qenë veç për numra, ka qenë për besim, për vlera, për mënyrën si duam me i bo punët ndryshe,” u shpreh ai.
Kameri shtoi se gjatë fushatës ka parë dashuri, respekt e sinqeritet nga qytetarë që s’i kishte takuar më parë, si dhe përfshirjen e të rinjve që për herë të parë hynë në politikë.
“Kjo për mu është fitore. E di që rruga s’ka me qenë e lehtë, por unë s’jam njeri që dorëzohet. Kjo s’është fundi, është veç fillimi i një kapitulli të ri,” theksoi ai.
Në fund, Kameri falënderoi të gjithë ata që i dhanë besimin dhe mbështetjen duke premtuar se do të vazhdojë përpara për Gjakovën që e duan dhe për ndryshimin që ka nisur bashkë me qytetarët. /Kosova.info/
