GO+ Peja akuzon KQZ-në: Papërgjegjësia ka emër, po luajmë larg tifozëve për shkak të bllokimit të palestrës ‘Karagaçi’”

Klubi i basketbollit GO+ Peja ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar me palestrën “Karagaçi”, e cila vazhdon të jetë e zënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndonëse sipas marrëveshjes ajo do të duhej të ishte liruar më 16 tetor.

Në reagimin e klubit thuhet se, për shkak të kësaj vonese, ekipi po përballet me pengesa serioze në zhvillimin e edicionit sportiv dhe është detyruar të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të vazhduar sezonin.

“Papërgjegjësia ka emër. Sot shënon data 16 tetor, kur sipas premtimit të KQZ-së, palestra ‘Karagaçi’ do duhej të ishte e liruar. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodh, të paktën këtë javë,” thuhet në reagim.

GO+ Peja ka bërë të ditur se ekipi aktualisht po stërvitet në kushte të papërshtatshme, në një sallë shkollore që nuk përmbush kërkesat profesionale, ndërsa është detyruar që ndeshjen e parë historike në garat europiane të ENBL ta zhvillojë jashtë Pejës duke humbur kështu mbështetjen e tifozëve.

Përveç kësaj, klubi ka paralajmëruar se edhe ndeshja e parë vendase e sezonit në Superligë, e planifikuar për 18 tetor ndaj KB Golden Eagle Yllit, rrezikon të shtyhet për shkak të mungesës së palestrës.

“Kjo e vendos klubin tonë dhe Superligën në pozitë shumë të vështirë. Në një sezon të ngjeshur, do të jetë thuajse e pamundur të gjendet një datë e përshtatshme për të dy palët,” thuhet tutje.

Në fund, klubi ka kërkuar falje tifozëve duke theksuar se edhe vetë lojtarët dhe stafi ndjehen të penalizuar nga situata.

“Sallat sportive, fatkeqësisht, nuk po e kanë sportin në rend të parë. Vazhdojmë përpara në kushte të limituara, larg tifozëve e larg shtëpisë, një precedent i paparë e i padëgjuar më parë,” përmbyllet reagimi i GO+ Peja. /Kosova.info/


Go to TOP