Kamerat në objekte private rrisin nivelin e sigurisë

Vendosja e kamerave të sigurisë në objekte private, vitet e fundit ka shënuar rritje. Kjo vërehet sidomos nga ata që nuk mund të jenë prezent gjatë tërë kohës, siç janë mërgimtarët. Por, ka edhe shumë të tjerë që janë në Kosovë, por vendosin që objektet e tyre t`i kenë nën vëzhgim. Megjithatë, për vendosjen e tyre, janë disa rregulla që duhen respektuar, në mënyrë që të mos cenohet privatësia e të tjerëve.

Vendosja e kamerave të sigurisë i ka mundësuar policisë që më lehtë tii identifikojë sulmuesit e shtëpisë së gazetarit të RTK-së, Alban Selimi.

 “Vitin e kaluar, karshi pronës dhe shtëpisë sime ka ndodhur një sulm nga një person i cili është identifikuar nga kamerat e sigurisë të cilat nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes mirëpo kanë qenë të vendosura në lagje nga një biznes privat, këto kamera policia e Kosovës i ka pas pikënisje për hetimet”, tha Alban Selimi, redaktor i redaksisë hulumtuese në RTK.

Gazetari Selimi ka respektuar mënyrën e vendosjes së këtyre kamerave. Kjo pasi për instalimin e tyre në shtëpi e objekte private, duhet të plotësohen disa kritere, në mënyrë që të mos cenohet privatësia e të tjerëve.

“Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale ka paraparë parimet mbi të cilat mbrohet e drejta e privatësisë. Vendosja kamerave në biznese private dhe shtëpi private nuk është e njëjtë. Te  shtëpitë private secili person ka të drejtë të vendos kamerat dhe ti vëzhgoj ato derisa nuk kalojnë perimetrin e pronësisë së tij. Te bizneset private një për kushteve që kërkohet është që kamerat të mos marrin pamje jashtë perimetrit të pronësisë së biznesit dhe jo nëpër rrugë dhe hapësira publike, duhet të vendoset shenja që ka kamera”, tha Krenare Sogojeva Dermaku, komisionere për Informim dhe Privatësi.

Edhe ekspertët e sigurisë, sikurse Drizan Shala, thonë se vendosja e kamerave në ndërtesa private, nuk duhet të shkelë normativën e hapësirës publike.

“Sipas normativës së Kosovës kompanitë dhe individët privat që vendosin kamerat për të siguruar pronën e tyre duhet me bo kërkesë në mekanizmat përkatës në mënyrë që kamera në assesi të mos ta kap hapësirën publike sepse cenohet integriteti personal i çdo individi dhe mund të vie deri te cenimi i mëtutjeshëm dhe shkeljes së normativës e cila drejtpërdrejt e atakon sigurinë publike”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

Në Kosovë, vendosja e kamerave, në pronat private, ka shënuar rritje. Megjithatë, ky trend vazhdimisht cenon edhe privatësinë e të tjerëve, veçanërisht kur kamerat janë të drejtuara nga rrugët publike.

Go to TOP