Përurohet rruga Sofali-Kolovicë, Qeveria financoi 1.5 milionë euro

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është përuruar faza e dytë e projektit për ndërlidhjen e rrugës Sofali–Kolovicë, përkatësisht rruga “Abedin Dino”, një investim i rëndësishëm për banorët e kësaj zone të Prishtinës.

Sipas Bashës, vlera totale e projektit arrin në rreth 2.5 milionë euro, ndërsa Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ka financuar 1.5 milionë euro, që përbëjnë 60 për qind të investimit.

Rruga e re ka gjatësi prej 1.56 kilometrash dhe përfshin një sërë elementesh infrastrukturore moderne, si shirit qarkullues me gjerësi 6.5 metra, shteg për çiklistë prej 2.5 metrash, trotuare në të dy anët, ndriçim publik modern, rrjet kanalizimi fekal dhe atmosferik, si dhe rrjet ujësjellësi me rezervuar dhe stacion pompimi.

Po ashtu, projekti përfshin edhe infrastrukturën e plotë nëntokësore.

Basha theksoi se ky investim do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë dhe cilësisë së jetës për banorët dhe përdoruesit e përditshëm të rrugës.

“Urime banorëve të Sofalisë dhe Kolovicës për këtë projekt të shumëpritur, si dhe çiklistëve, vrapuesve dhe të gjithë atyre që e përdorin këtë rrugë në baza ditore”, ka shkruar ai në Facebook. /Kosova.info/

Go to TOP