Kabashi: Të dielën qytetarët flasin me votë – Stop izolimit, voto LDK

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Festim Kabashi, u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e së dielës ta shprehin vullnetin e tyre përmes votës duke ndëshkuar, siç tha ai, keqqeverisjen pesëvjeçare të Qeverisë në ikje.

Sipas Kabashit, gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar izolim ndërkombëtar, prishje të marrëdhënieve me shtetet mike, rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike dhe të produkteve bazë, si dhe një luftë të hapur ndaj prodhuesve vendorë. Ai theksoi se premtimi “Duaje tëndën” jo vetëm që nuk është zbatuar, por politikat e ndjekura kanë pamundësuar funksionimin e shumë bizneseve vendore.

Kabashi kritikoi ashpër qeverinë edhe për dështimin në luftën kundër korrupsionit duke theksuar se, ndonëse erdhi në pushtet me këtë kauzë, ajo i ka shpallur luftë drejtësisë dhe ka kapur institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat sipas tij janë mbushur me militantë partiakë.

“Jo ç’kapje, por kapja më e madhe e institucioneve publike ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje. Përveç kësaj, kemi parë mashtrim, propagandë dhe nxitje të përçarjes ndërmjet qytetarëve”, u shpreh ai.

Në fund, Kabashi u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor ta votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës duke e cilësuar atë si shtëpinë politike që prej 36 vitesh e ka orientuar Kosovën drejt vlerave demokratike perëndimore.

“Të dielën keni mundësinë t’i thoni stop kësaj mendësie dhe këtij izolimi. Zgjidhni shpresën, refuzoni izolimin”, përfundoi Kabashi duke ftuar për votë për LDK-në dhe për kandidaturën e tij. /Kosova.info/


Go to TOP