Kabashi alarmon për rrezikun e “fake accounts” dhe videove me AI: Manipulim i rrezikshëm për demokracinë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Festim Kabashi, ka ngritur shqetësimin për përhapjen e llogarive të rreme dhe përdorimin e videove të krijuara me inteligjencë artificiale në hapësirën publike, të cilat po shndërrohen në një kërcënim serioz për proceset demokratike në vend.
Kabashi theksoi se këto forma manipulimi nuk përfaqësojnë zërin e qytetarëve, por instrumente të organizuara që synojnë të deformojnë të vërtetën, të nxisin pasiguri dhe të ndikojnë padrejtësisht në garën politike.
“Manipulimi i opinionit publik në Kosovë përmes llogarive false dhe videove me inteligjencë artificiale po shndërrohet në një rrezik serioz për demokracinë. Llogaritë fake nuk janë zë i qytetarëve, por mjete manipulimi që synojnë të deformojnë të vërtetën dhe të ndikojnë në garën politike,” u shpreh ai.
Kabashi u bëri thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë, të informohen nga burime të besueshme dhe të refuzojnë propagandën që synon të cenojë integritetin e zgjedhjeve.
“Zgjidhni shpresën, refuzojeni propagandën”, përfundoi ai duke kërkuar mbështetjen për listën e LDK-së, numrin 123 dhe kandidaturën e tij me numrin 41. /Kosova.info/
