Kabashi akuzon Kurtin për hipokrizi në luftën kundër korrupsionit: Qeveria e tij e mbushur me të dyshuar e nën hetime

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Festim Kabashi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar atë për, siç thotë ai, “propagandë boshe” lidhur me luftën kundër korrupsionit. Kabashi pretendon se Qeveria Kurti vazhdon të jetë e rrethuar nga ministra dhe drejtues institucionesh publike të cilët po përballen me akuza apo hetime për afera korruptive.

Sipas Kabashit, emra si Rozeta Hajdari, Ngaip Krasniqi, Martin Berishaj, Faton Peci, Artane Rizvanolli, Hysen Durmishi dhe Dejona Mihali nuk mund të paraqiten si shembuj të integritetit, pasi ndaj tyre ekzistojnë dyshime apo procese gjyqësore në zhvillim. Ai thotë se një qeveri që pretendon ta udhëheqë betejën kundër korrupsionit, nuk mund të mbështetet te figura të tilla.

Kabashi shkon më tej duke e akuzuar edhe vetë kryeministrin Kurti për shmangie nga drejtësia duke iu referuar rastit në të cilin Kurti, sipas tij, “ka ikur nga Prokuroria si dëshmitar”.

“Qeveria e Kurtit është shembulli më i mirë i hipokrizisë politike. Nga njëra anë flasin për luftë kundër korrupsionit, ndërsa nga ana tjetër mbajnë pozita kyçe persona me aktakuza apo nën hetime. Këtë mund ta bëjë vetëm një deluzionist”, shkroi Kabashi në reagimin e tij publik. /Kosova.info/


Go to TOP