Johnson: Britania e Madhe po trajnon ushtarët ukrainas në Britani dhe Poloni  

Kryeministri britanik Boris Johnson, ka bërë të ditur se Britania e Madhe është duke trajnuar ushtrinë ukrainase për një mbrojtje më të mirë nga sulmet ruse.

Këto trajnime është duke i zhvilluar në territorin e Britanisë së Madhe dhe në Poloni.

“Mund të them që aktualisht jemi duke trajnuar ukrainasit në Poloni për përdorimin e sistemit mbrojtës kundërajror – e gjatë këtij trajnimi do të mësojnë edhe shkatërrimin e mjeteve të blinduara”, ka theksuar Johnson.

Zëdhënësi i qeverisë britanike ka thënë se dhjetëra ushtarë ukrainas gjenden në Britani për shkak të këtij trajnimi. Ata gjithashtu do të mësojnë për përdorimin e mjeteve të blinduara – që u janë dhuruar në fillim të këtij muaji.

Britania e Madhe i ka dërguar Ukrainës mbi 120 mjete të ndryshme të blinduara përfshirë Mastiff që përdoret për misione vëzhgimi apo për patrullim.

E ushtarët ukrainas gjithashtu do të mësojnë të vozitin autoambulanca e njohura me emrin Samaritan, mjetet e blinduara Sultan dhe Samson që janë të dizajnuar për vëzhgim. 

Go to TOP