Jakaj: Nëse ministrat do të dorëhiqeshin, do të shmangej shkelja kushtetuese – vendimet e tyre tani janë të pavlefshme
Pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës që vërtetoi shkeljen e Ligjit për Qeverinë nga ministrat që mbajnë njëkohësisht poste si deputetë, ka reaguar edhe Naim Jakaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) duke theksuar se situata do të mund të ishte shmangur nëse do të merrej parasysh kërkesa e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
“Nëse ministrat që janë bërë deputetë do ta kishin nënshkruar letrën e dorëheqjes të draftuar nga IKD, të cilën e kemi përmendur që në mars dhe ua kemi dorëzuar me shkrim më 23 prill, nuk do të ndodhte kjo kundërkushtetutshmëri dhe shkelje e ligjit”, ka deklaruar Jakaj.
Ai thekson se mungesa e veprimit të ministrave që ushtronin njëkohësisht dy funksione, jo vetëm që ka prodhuar vendime në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe ka ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e proceseve vendimmarrëse brenda institucioneve.
Jakaj ngre një pyetje direkte për Kryeministrin Kurti dhe ministrat përkatës: “Pse duhet me qëndru si Kryeministër dhe ministër në detyrë në zyrat e ministrive nga nesër, kur pas këtij vendimi nuk mund të prodhoni më asnjë vendim të vlefshëm, ndërsa të gjitha vendimet e kaluara janë tanimë të rrëzuara?!”.
KDI thekson se ky është një moment vendimtar për integritetin institucional dhe respektimin e shtetit ligjor. Sipas tyre, dorëheqja e menjëhershme e të gjithë atyre që kanë ushtruar poste të dyfishta do të ishte hapi i vetëm i duhur për të rikthyer legjitimitetin në qeverisje dhe për të evituar një krizë edhe më të thellë ligjore e institucionale. /Kosova.info/
