Jakaj: Besoj që Kushtetuesja do të lëshohet në çështje të pasojave juridike
Derisa Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar edhe pas 51 tentimesh, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se vendimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari për të ndërruar formën e votimit është jo kushtetues.
Ai në emisioni “Info Plus” të RTK-së tha se PDK, LDK e AAK po kërkojnë që të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar nga kryesia e atëhershme e Kuvendit.
Madje sipas tij edhe debati të cilin nuk po e lejon Dehari duke u thirrur në Rregullore të Kuvendit, duhet të lejohet, e atë dispozitë që e ndalon debatin në seancë konstituive, Jakaj e ka quajtur “shkarravinë” që ka marr votat e dy të tretave të deputetëve në vitin 2021 kur u bë Rregullorja e re e Kuvendit.
“Konsiderojmë se debatet duhet të lejohen, sepse situata kontekstit socio-politik, socio-ekonomik është më i madh se një dispozitë që nuk e lejon debatin parlamentar. Në fakt edhe ajo dispozitë është e keqe që është lënë, sepse ne debatojmë për presidentin, për qeverinë, e nuk debatojmë për kryetarin e Kuvendit. Ajo që është vendosur në gusht të vitit 2021 në Rregulloren e Kuvendit mund të themi lirisht se është një ‘shkarravinë’ që është votuar nga të gjithë, sepse e ka kërkuar votën e dy të tretave të deputetëve”.
Jakaj tha se Administrata e Kuvendit i rri karshi detyrave të veta dhe me përgjegjësi të plotë e ofron ekspertizën e profesionalizimin, por tregoi se ajo që e dinë është se kryesuesi nuk po i dëgjon fare.
Ai tha se as aktgjykimi i vitit 2014 e as ky i fundit nga Kushtetuesja nuk ka sqaruar pasojat e mosrespektimit të afateve.
“Edhe aktgjykimi i vitit 2014 edhe në këtë tash nuk janë treguar pasojat. Nuk është as në kushtetutë, ndoshta gjykata nuk ka mbërri se si ta trajtojë këtë çështje, sepse nuk ka një dispozitë në kushtetutë se cila është pasoja në rastin e moskonstituimit e Kuvendit. Sepse, ne për një ditë shkojmë në zgjedhje nëse nuk e zgjedhim presidentin, shkojmë në maksimumi 25 ditë nëse nuk e zgjedhim qeverinë, por nuk shkojmë në zgjedhje nëse nuk e zgjedhim një kryetar Kuvendi, ose nuk e konstituojmë Kuvendin brenda një afati të caktuar”, tha ai.
Foli edhe për kërkesat e dy partive politike që janë deponuar në Kushtetuese që kanë të bëjnë me votimin e fshehtë.
Ai tha se pret që kryegjykata e Kosovës të lëshohet edhe në çështje të pasojave juridike.
“Ka dy kërkesa të dy partive politike PDK-së e LDK-së, për rastin e votimit të fshehtë e që besoj që Kushtetuesja do të lëshohet edhe në çështjen e pasojave juridike. Pasoja për komplet procesin, por edhe për rastin individual në rastin e kryetarit të Kuvendit, sepse ka interpretime të ndryshme, dhe pasoja mund të jetë që në rast se nuk e zgjedhë kryetarin e Kuvendit në afatin prej 30 ditësh t’i kalojë e drejta partive që munden përmes nënshkrimeve apo krijimit të një bashkësie politike prej më shumë se 61 deputetëve të deklarojnë se i kanë numrat ta zgjedhin kryetarin Kuvendit”, tha ndër të tjera ai në “Info Plus” të RTK-së.
