Jagxhiu: Inteligjenca Artificiale po transformon ekonominë dhe shoqërinë

“Inteligjenca Artificiale po transformon me shpejtësi ekonominë dhe shoqërinë, ndërsa përdorimi i saj në të gjitha fushat është tashmë një domosdoshmëri”, këtë e theksoi Ministri i Digjitalizimit dhe i Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, gjatë prezantimit të raportit për qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Kosovë.

Ai nënvizoi se po sigurohet që çdo nismë e re digjitale në administratën publike të përfshijë edhe funksionalitete të bazuara në Inteligjencën Artificiale. Projekte si e-Kosova 2.0, Asistenti Digjital në ATK, gjenerata e re e shërbimeve të integruara të bazuara në ngjarje jetësore, si dhe platforma mbarëqeveritare që po ndërtohen, do të përfshijnë zgjidhje të mbështetura në IA. Këto iniciativa synojnë ofrimin e shërbimeve publike më të ndërlidhura, më proaktive dhe më të personalizuara për qytetarët.

Njëkohësisht, ai theksoi se po investohet në zhvillimin e infrastrukturës së të dhënave, avancimin e mekanizmave institucionalë dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore për aplikimin e Inteligjencës Artificiale në administratën publike.

Megjithatë, gjatë këtij rrugëtimi transformues, sipas Ministrit Jagxhiu, duhet të sigurohet që IA të përdoret me përgjegjësi, duke e mbajtur gjithmonë njeriun në qendër dhe duke vendosur mekanizmat e nevojshëm mbrojtës për ruajtjen e shëndetit, sigurisë, të drejtave themelore dhe demokracisë.

Si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ai theksoi se rruga e Kosovës për qeverisjen dhe rregullimin e Inteligjencës Artificiale është e ndërlidhur ngushtë me kornizën evropiane të bazuar në EU AI Act.

Raporti i prezantuar sot ofron inpute të vlefshme për ndërtimin e kornizës sonë të qeverisjes së IA dhe për hapat që do të ndërmerren drejt përafrimit me acquis-në dhe rregullativën evropiane në këtë fushë.

Ministri Jagxhiu falënderoi Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe institucionet e tjera për kontributin e tyre në hartimin e këtij raporti.

Go to TOP