Izraeli shton përpjekjet e dëbimit të palestinezëve në Jerusalemin lindor
Qindra palestinezëve në Jerusalemin lindor do t’u prishen shtëpitë ose do të dëbohen, duke bërë që kolonët hebrenj të përfitojnë nga situata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein njofton nga Jerusalemi se të dy palët thonë se i kanë blerë shtëpitë në rrugë ligjore.
Palestinezi Fakhri Abu Diab ka lindur në këtë shtëpi 62 vjet më parë, në lagjen e quajtur Bustan ose kopshti, në zonën Silwan të Jerusalemit lindor.
Në fillim të këtij viti, autoritetet izraelite e shembën shtëpinë e tij, nën pretekstin se ishte zgjeruar pa leje.
“Tani, fëmijët dhe nipërit jetojnë me qira. Shtova një dhomë me sallon dhe banjë dhe ata ma shemben shtëpinë. Nuk kam se ku të shkoj, do të jem i pastrehë”, thotë për Zërin e Amerikës, palestinezi Fakhri Abu Diab, banor i Jerusalemit lindor.
Zoti Diab thotë se ai dhe fqinjët në Jerusalemin lindor janë përpjekur vazhdimisht që të marrin lejet e ndërtimit, por Izraeli pothuajse gjithmonë i mohon kërkesat e tyre. Ai thotë se deri tani janë shembur 10 shtëpi dhe pritet shembja e rreth 100 të tjerave në lagjen e tij. Qeveria izraelite thotë se toka do të përdoret për të ndërtuar një park arkeologjik.
Në lagjen tjetër, Batn Al Hawa, situata është më komplekse.
Hebrenjtë e Jemenit u vendosën këtu në fund të shekullit të 19-të, por u larguan pas trazirave arabe në vitet 1930.
Sipas ligjit izraelit, pronat e Jerusalemit që ishin fillimisht në duart e hebrenjve mund t’u kthehen izraelitëve, edhe nëse palestinezët që e blenë tokën duhet të dëbohen.
Aktivisti palestinez, Zuhair Rajabi thotë se qeveria ka urdhëruar dëbimin e tij dhe të pronarëve të 87 shtëpive të tjera në lagje, të cilat më parë ishin nën pronësinë e një fondi filantropik për hebrenjtë jemenas.
“I kemi blerë shtëpitë, nuk i kemi vjedhur, kemi dokumente. Çdo familje ka dokumentet e blerjes. Në rastin tim, babai e bleu këtë shtëpi në vitin 1966, dhe jetojmë këtu që nga ajo kohë. Në vitin 2015, unë dhe vëllezërit u tronditëm kur morëm urdhrin e dëbimit. Për çfarë?”, shtron pyetjen zoti Rajabi.
Zoti Rajabi thotë se ai dhe fqinjët ngacmohen shpesh nga rreth 40 familje të kolonëve hebrenj që janë shpërngulur në lagje, të mbrojtur nga rojat e sigurisë të financuara nga qeveria.
Ai thotë se organizata e kolonëve hebrenj, “Ateret Cohanim”, i ofroi shuma të mëdha parash për t’u larguar, por ai refuzoi.
Përfaqësuesit e shoqatës “Ateret Cohanim” thonë se nuk ka asgjë të paligjshme në përpjekjen për të blerë prona dhe për të rivendosur një prani hebraike në këtë zonë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Daniel Luria, drejtor ekzekutiv i shoqatës “Ateret Cohanim”.
“Në thelb, ky është djepi i mbretërve dhe profetëve të popullit hebre, këtu lindi historia dhe trashëgimia. Kjo është qendra e Jerusalemit dhe e botës hebraike”.
Grupet izraelite të të drejtave të njeriut janë përpjekur t’i mbrojnë palestinezët e Jeruzalemit lindor, të cilët përbëjnë pothuajse 40% të popullsisë së qytetit, përballë urdhrave të qeverisë izraelite për dëbimin e tyre dhe shembjen e shtëpive. Grupet thonë se përpjekjet kundër palestinezëve janë shtuar gjatë vitit të kaluar pas fillimit të luftës në Gazë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Aviv Tatarsky të organizatës joqeveritare izraelite “Ir Amim”, e cila përpiqet të mbrojë të drejtat palestineze në Jerusalem.
“Po gjejmë mënyra për të bllokuar veprimet e qeverisë izraelite, por çekuilibri i pushtetit nuk është në favorin tonë”.
Ndërsa Izraeli përballet me konflikte në shumë fronte si Gaza, Libani, Jemeni dhe Irani, Jerusalemi ka qenë relativisht i qetë. Por shtimi i prishjes së shtëpive dhe dëbimi i palestinezëve mund të çojë në rritjen e tensioneve në qytet.