Izmaku: Nuk ka takime të reja, mungon vullneti politik për zgjidhje
Pas dështimit të seancës konstituive, deputetja e NISMËS, Xhevahire Izmaku, deklaroi se ditëve të fundit nuk ka pasur asnjë takim apo qëndrim të ri nga partitë politike. Ajo theksoi se takimet e NISMËS kanë qenë publike dhe nëse do të ketë të tjera, ato do të bëhen gjithashtu publike.
Izmaku theksoi se situata aktuale nuk është më vetëm çështje procedurale apo juridike, por kryesisht morale, duke përmendur mungesën totale të vullnetit politik nga ana e lidershipit të të gjitha partive për të gjetur një zgjidhje.
Sipas saj, NISMA ka qenë dhe vazhdon të jetë për krijimin e një mazhorance përmes një marrëveshjeje politike dhe për zgjidhjen e problemeve në tavolinë. Ajo nënvizoi se NISMA do të jetë e fundit që largohet nga bisedimet dhe nga dëshira për të arritur një marrëveshje.
Deputetja gjithashtu shtoi se pasojat juridike kanë të bëjnë me mandatet dhe se çdo deputet duhet thjesht të veprojë.
