“ISIS është ende gjallë dhe kërcënues”

Në ditët para fillimit të festimeve të Vitit të Ri, forcat turke të sigurisë njoftuan arrestimin e mbi 30 operativëve të dyshuar të ISIS-it të shpërndarë nëpër bazat e tyre në të gjithë vendin.

Por Turqia nuk ishte e vetmja në përballjen me Shtetin Islamik.

Në Irak, ushtria ka vrarë të paktën 22 luftëtarë të ISIS-it përmes operacioneve tokësore dhe sulmeve ajrore në rajonet qendrore, veriore dhe perëndimore të vendit në 11 ditët e fundit të vitit 2021, vetëm pak kohë pasi grupimi xhihadist mori përgjegjësinë për një seri sulmesh me bomba në disa rrugë.

Pavarësisht “humbjes” së ISIS-it të shpallur nga presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump më shumë se 3 vjet më parë, grupimi xhihadist kreu 342 sulme terroriste vetëm në veri të Sirisë vetëm gjatë vitit 2021 – pra thuajse një sulm në ditë – sipas të dhënave që zotëron organizata Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Edhe pse themeluesi Abu Bakr Al-Baghdadi ka vdekur ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë me shqetësim një rishfaqje të grupit radikal në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Rigjallërimi i ISIS-it, ose ndonjë version i tij, është pothuajse i pashmangshëm, duke pasur parasysh dështimet e mëdha të shumë qeverive në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.

“Ndërsa i ashtuquajturi kalifat i ISIS-it është shkatërruar, ai mbetet një armik i vendosur dhe i rrezikshëm”- u tha gazetarëve në dhjetor John T.Godfrey, i dërguari special i SHBA-së për luftën kundër ISIS-it.

Ajo deklaratë përbën një paralajmërim si për shpërfilljen tonë aktuale ndaj ISIS, ashtu edhe për krizat e shumta që pasuan luftën shumëvjeçare kundër Shtetit Islamik – dhe dështimet e sigurisë dhe politike që e sollën atë – që shumëkush i ka harruar për grupin xhihadist që vetëm disa vite më parë mori kontrollin e një territori të gjerë në Lindjen e Mesme.

Por ky grupim mbetet një kërcënim në Afrikën Sub-Sahariane dhe në Azinë jugore dhe lindore, ku ka zënë rrënjë vitet e fundit – larg nga bazat e saj në Lindjen e Mesme dhe Levant, ku lindi dhe supozohet se u mposht pak vite më parë. Shtrirja gjeografike e grupit vazhdon që të rritet.

Tani që talibanët kanë marrë kontrollin e vendit, dega e ISIS-it në Afganistan mbetet kërcënimi i vetëm më i madh për sigurinë e vendit. Ndërkohë dega e tij në Sinai të Egjiptit, kryen sulme të reja thuajse çdo 3 ditë. Forcat marokene, sabotuan një komplot të ISIS-it vetëm dy javë më parë.

Ndërkohë adhuruesit e grupit terrorist në Mozambik, kanë shkaktuar një luftë civile në veri të vendit. “Që nga viti 2017, kur Shteti Islamik humbi të ashtuquajturin Kalifat në Lindjen e Mesme, Afrika ka përjetuar disa nga betejat më të egra në botë midis shteteve dhe xhihadistëve”- thuhet në një raport të javës së kaluar nga Grupimi i Krizave.

“Militantizmi islamik në kontinent nuk është asgjë e re, por revoltat e lidhura me Shtetin Islamik dhe Al-Kaedën, janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit”-thuhet në të. Përpjekjet për të luftuar rrjetin terrorist ndryshojnë në shtrirjen e tyre.

Në Turqi, lufta drejtohet kryesisht nga forcat e rendit. Javën e shkuar pati bastisje në qytetin jugor turk Gaziantep, ku është stacionuar një qendër e ndihmës perëndimore për Sirinë, në Sanliurfa në lindje, si dhe në Kirikale, 80 në lindje të kryeqytetit Ankara, dhe në Samsun buzë Detit të Zi.

Në kushtet kur në këtë periudhë atë e vizitojnë çdo ditë dhjetëra mijëra turistë të huaj – disa prej të cilëve vijnë nga Britania e Madhe dhe pjesa tjetër e Evropës – është e kuptueshme që autoritetet në Ankara të jenë shumë të shqetësuara dhe nervoze.

Ato e mbajnë ende mend sulmin e tmerrshëm të ISIS-it në klubin e natës “Reina” në orët e para të 1 janarit 2017, që shkaktoi 39 të vdekur dhe 79 të plagosur. Ndërkohë në Irak, vazhdojnë operacionet ushtarake në shkallë të plotë kundër ISIS-it, edhe pse grupi xhihadist nuk tregon asnjë shenjë dobësimi.

Madje ditët e fundit, ai ka ndërmarrë shumë sulme me bomba në anë të rrugëve, duke shënjestruar autokolonat ushtarake në zonën malore Hamrin në Irakun Verior. Në Siri, ISIS ka ndërmarrë sulmet në Deir Al-Zour, Hasaka, Raka dhe Alepo, duke vrarë gjithsesi 228 njerëz në vitin 2021.

Në bashkëpunim me forcat speciale të SHBA-së që ndodhen ende në Siri, milicitë e Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, arrestuan më shumë se 800 të dyshuar. Po ashtu në mesin e muajit dhjetor, dy avionë luftarakë britanikë që po patrullonin në kufirin midis Sirisë dhe Irakut, rrëzuan një dron të dyshuar të ISIS që po fluturonte drejt trupave aleate në zonë.

“Ne jemi të përkushtuar të ruajmë praninë tonë ushtarake në Siri, pasi ISIS mbetet një problem shumë serioz, dhe rreziku i rigjallërimit të ISIS është shumë real”-u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan gjatë një konference virtuale më 17 dhjetor.

Sfidimi ushtarak i ISIS-it, duket se është mënyra e vetme që po përdorin qeveritë kundër  grupit radikal. Por kjo strategji nuk po funksionon. Asnjë sasi e madhe armatimesh, dhe asnjë numër i madh spiunësh apo dronësh, nuk do të mjaftojë për të hequr qafe grupet militante si ISIS, të cilat ushqehen nga dështimet e qeverive, dhe shkelja e të drejtave të njeriut në vendet e prekura.

Madje mosfunksionimet e strukturave shtetërore dhe përçarjet e forta sociale dhe politike në vende si Iraku dhe Siria, të cilat ISIS-i i ka shfrytëzuar për të fituar terren nëpër në botë, janë ende aty, janë përshkallëzuar në disa aspekte. /Borzou Daragahi “The Indipendent”.

Go to TOP