Ish-ndihmësit e quajnë Trumpin fashist, JD Vance i quan ata “ish-zyrtarë të pakënaqur”
Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili po synon një mandat të dytë, është cilësuar si “fashist” dhe “i papërshtatshëm për postin e presidentit” nga disa ish-ndihmës të tij të lartë, por kandidati republikan për nënpresident, JD Vance, i kundërshtoi këto vlerësime të dielën. Ndërkohë, ekipi i fushatës së demokrates Kamala Harris ka përfshirë këtë çështje të debatueshme në reklamat e tyre politike në shtetet e pavendosura.
John Kelly, ish-shef i personelit në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri në 2019, në një intervistë për “The New York Times” e përshkroi Trump si një “autoritar që adhuron diktatorët”. Ai tha se Trump “përputhet me përkufizimin e gjerë të termit fashist.”
Trump reagoi ndaj këtyre akuzave në rrjetin e tij social “Truth Social”, duke e cilësuar John Kelly-n si “njeri të paditur dhe një gjeneral të keq” dhe deklaroi se nuk mori më parasysh këshillat e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke i kërkuar që të largohej.
JD Vance, kandidati republikan për nënpresident, komentoi të dielën mbi deklaratat e Kelly-t dhe të ish-komandantit të Shtatmadhorisë Amerikane Mark Milley për çështjen nëse Trump është fashist. “Shumica e njerëzve që kanë punuar ngushtë me Trump e mbështesin atë. Mendoj se Mark Milley dhe John Kelly janë të dy ish-punonjës të pakënaqur,” tha Vance.
Ndërkohë, trembëdhjetë ish-ndihmës të Trump-it publikuan të premten një letër të hapur në mbështetje të komenteve të gjeneralit Kelly, duke paralajmëruar se Trump është “i papërshtatshëm për postin e presidentit.”
Senatori republikan Lindsey Graham nuk bie dakord me këtë vlerësim. “Kam qenë afër tij. Nuk mendoj se është fashist. Mendoj se ishte një president shumë i fortë kur ne kishim nevojë për një president të tillë. Besoj se do të jetë një udhëheqës i fortë për të rikthyer vendin në rrugën e duhur,” tha Graham.
Për të fituar mbështetjen e votuesve në shtetet e pavendosura, ekipi i fushatës së Kamala Harris ka publikuar një reklamë ku përfshihen komentet e gjeneralit Kelly. Nënpresidentja Harris nuk ka hezituar të shprehë shqetësime të ngjashme për Trump-in.
“Donald Trump është gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe më i ashpër. Në një mandat të dytë, njerëz si John Kelly nuk do të ishin të pranishëm për të mbrojtur vendin nga prirjet dhe veprimet e tij,” tha ajo.
Senatori i pavarur Bernie Sanders, i cili mbështet Kamala Harris për presidente, u pyet nëse mendon se Trump është fashist. “Nuk më pëlqen të përdor ato fjalë, por është e qartë se ai ka një prirje të fortë drejt autoritarizmit dhe minimit të demokracisë amerikane,” u përgjigj ai.
Debati mbi këtë çështje zhvillohet ndërsa kandidatët presidencialë hyjnë në fazën përfundimtare të fushatës për zgjedhjet e 5 nëntorit.
