Ish-komandanti i UÇK-së: Më e rëndë se sa biseda e Mimozës është mbrojta që po i bëhet
Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Latif Gashi, derisa ka folur për audio-incizimet e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, ka thënë se më e rëndë se sa biseda e saj që ka bërë me Simiqin është se si partia e saj po i del në mbrojtje.
“Pse merret në mbrojtje nga po të njëjtit akterë që sot e qeverisin Kosovën. Pse merret ajo deklaratë në mbrojtje, po bisedon me dikë që është i sanksionuar nga SHBA-të, po bisedon me dikë që të mban pezull dhe të shtin me bë veprime dhe bjen në grackën e veprimeve të Listës Serbe me u sanksionu nga krejt bota edhe ti sot po e mbron një deklarim të përfaqësueses të grupit parlamentar dhe kjo është më e rëndë se sa biseda që është bë. Gjithkush mundet me gabu, me fol, hajde rusisht paska bisedu me të, por pse po e mbron atë ose pse s’po kërkon falje qoftë Mimoza dhe me thënë kam gabu. Përderisa mbrohet kjo, kjo është më e rëndë se biseda”, është shprehur Gashi.
Thotë se populli tash e ka kuptuar se kush në të vërtetë është Lëvizja Vetëvendosje.
“Është me rëndësi që masa në përgjithësi me ditë që një klasë politike e cila nuk ka bërë asgjë për vendin, po i mashtron qytetarët dhe tash një video-incizim po del po iu tregon atyre kush janë këta në të vërtetë. Për mua, nuk është befasi kjo që u dal sepse së paku pjesë e të gjitha proceseve historike edhe i di njerëzit që kanë kontribu dhe çka kanë bërë për vendin”, ka thënë ai.
Gashi ka përmendur edhe personat e apostrofuar në audio-incizim siç janë Ramush Haradinaj, Bekim Haxhiu, Abelard Tahiri, Uran Ismaili, duke thënë se kjo për të nuk është befasi, dhe se kjo është dëshmi që masa duhet të dijë të vlerësojë vlerat e jo anti-vlerat.
