Ish-ambasadori amerikan: Kurtit s’i intereson mirëqenia ekonomike sepse është fiksuar pas problemit me Serbinë
Ish-ambasadori amerikan, William Montgomery, tha se përpjekjet diplomatike perëndimore për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në thelb funksionojnë në formën e një mundësie të pamundur që ai e quan “të bërit e rrethit katror” sepse Kurti insiston që Serbia ta njohë Kosovën brenda kufijve të saj aktual dhe të pranohet në OKB. Ndërsa, Serbia nuk do ta bëjë këtë gjë.
Montgomery për mediumin serb nga veriu, Kosovo Online, tha se nuk ka asnjë informacion se çfarë po diskutohet gjatë vizitave aktuale të diplomatëve të huaj dhe as në dialog.
Por, se bazuar në përvojën e tij personale shumëvjeçare për këtë çështje, ai shton se shumica e asaj që është bërë deri tani është një përpjekje për të zgjidhur çdo çështje individuale për të shmangur konfliktin.
“Problemi i krijuar nga BE-ja është kapitulli i 35-të i negociatave me Serbinë që ka të bëjë me Kosovën dhe duhet të ishte kapitulli i fundit që do të hapej pasi të mbyllej gjithçka tjetër. Kjo sepse anëtarësimi në BE garantohet kur të zgjidhet çështja e Kosovës. Kjo do të bënte presion të vërtetë mbi Serbinë. Nuk ka asnjë presion tani, pasi anëtarësimi i Serbisë në BE është larg për shumë arsye, shumë prej të cilave nuk kanë të bëjnë fare me Serbinë, domethënë shumica e vendeve të BE-së nuk duan zgjerim të mëtejshëm”, shpjegon Montgomery.
Kur është fjala për kryeministrin Kurti, Montgomery theksoi se është e rëndësishme të pranohet që sipas tij, Kurtit nuk i intereson fare mirëqenia ekonomike e Kosovës, sepse është i fiksuar me Serbinë, si për arsye politike ashtu edhe personale.
Sipas tij, Kurti po e bazon gjithçka në marrjen e një “koncesioni jetik” dhe diplomatët perëndimorë po i bëjnë presion të fuqishëm Serbisë që ta bëjë këtë.
“Serbia, nga ana tjetër, nuk ka arsye reale për t’u pajtuar. Ajo ka një ekonomi në rritje dhe shumë çështje të tjera që duhet të trajtohen. BE-ja nuk ka asgjë konkrete për t’i ofruar Serbisë për këtë koncesion për momentin,” tha ish-ambasadori.
