Irani e ekzekuton të akuzuarin për spiunazh për Izraelin, Babak Shahbazi
Irani ka ekzekutuar një burrë të akuzuar se kishte spiunuar për Izraelin, sipas një raporti të mediave shtetërore të mërkurën, ku i ekzekutuari u identifikua si Babak Shahbazi.
I përfshirë në një luftë të gjatë në hije me Izraelin, Irani ka dënuar me vdekje shumë njerëz që i ka akuzuar për lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe për lehtësimin e operacioneve të kësaj agjencie në Iran, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekzekutimi i iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin është shtuar dukshëm këtë vit. Së paku nëntë të dënuar me vdekje janë ekzekutuar muajve të fundit.
Mediat shtetërore thanë se Shahbazi kishte punuar krahas Esmaeil Fekri, një i dënuar tjetër me vdekje që u ekzekutua në qershor për spiunim për Izraelin nga pjesa e parë e vitit 2022.
Shahbazi akuzohej se e kishte përdorur pozitën e tij si kontraktor për instalimin e pajisjeve ftohëse që të mblidhte informacione nga vende të ndjeshme si dhomat e serverëve dhe qendrat e lidhura me ushtrinë dhe aparatin e sigurisë.
Avokati i të pandehurit e kishte apeluar vendimin për dënim me vdekje në Gjykatën Supreme, e cila e kishte refuzuar kërkesën e tij.
