IPK pjesë e takimit të Agjencive Mbikëqyrëse Policore

Më 7 dhe 8 nëntor, në qytetin bregdetar të Budvës- Mali i Zi, po mbahet takimi i Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në këtë takim pjesëmarrës është edhe Kryeshefi i IPK-së z. Kushtrim Hodaj me bashkëpunëtorë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Ky takim u organizua me mbështetjen e CIDSD-it (Center for Integrity in the Defense Sector – Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes) dhe ICITAP-it.

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për të ndarë përvojat, për të diskutuar sfidat dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal mes agjencive të mbikëqyrjes policore në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Përfaqësuesit e lartë nga katër shtetet diskutuan edhe për mekanizmat për rritjen e transparencës, të përgjegjësisë dhe profesionalizmit në forcat policore.

Përmes këtij forumi, u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të shkëmbimit të informacionit ndërmjet agjencive të mbikëqyrjes, si një element thelbësor në përmirësimin e sigurisë publike dhe garantimin e një qasjeje të përbashkët në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon.

Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për të siguruar dhe rritur efikasitetin gjatë realizimit të misioneve të tyre.

Deklarata për themelimin e Forumit Rajonal të Agjencive mbikëqyrëse policore u nënshkrua vitin e kaluar në Prishtinë më 3 korrik 2023 në mes përfaqësuesve të agjencive të katër shteteve: Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. /Kosova.info/

Go to TOP