Inaugurohet sheshi ‘Erhard Busek’ në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama sot bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, kanë bërë inaugurimin e sheshit “Erhard Busek”, pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Rama tha se Busek ishte një mik i madh i vendit tonë dhe një zë i fuqishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkan.

E ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ka thënë se për dekada me radhë Busek punoi pa u lodhur për integrimin e Evropës Lindore dhe Juglindore në Bashkimin Evropian.

Rama ka shkruar  në “Facebook”  se ky vendim u miratua në unanimitet në Kuvendin Komunal, duke treguar vlerësimin e përbashkët për figurën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

“Emërtimi i këtij sheshi është një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e palodhur të Erhard Busek në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm diplomatik në rajon”, ka shkruar ai.

Rama ka theksuar se “Me këtë shesh, ne jo vetëm që nderojmë trashëgiminë e tij, por edhe forcojmë lidhjet mes dy shteteve tona, duke ruajtur kujtimin e një miku të madh të Kosovës”. /Kosova.info/


Go to TOP