Inaugurohet Laboratori për Siguri Kibernetike në Kosovë
Ministria e Digjitalizimit dhe e Administratës Publike njofton se vetëm pak ditë pas lansimit të platformës së trajnimeve për siguri kibernetike, është inauguruar edhe Laboratori për Siguri Kibernetike, si një investim strategjik në forcimin e mbrojtjes digjitale të Republikës së Kosovës.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, si dhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ku u prezantua laboratori tashmë funksional që do të shërbejë për analizë, hulumtim dhe reagim ndaj kërcënimeve kibernetike.
“Siguria kibernetike sot nuk është më opsion, por domosdoshmëri strategjike”, ka theksuar ministri Jagxhiu, duke vënë në pah rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve shtetërore për parandalim, detektim dhe reagim ndaj sulmeve kibernetike.
Ai ka shtuar se “ky laborator përfaqëson një hap të rëndësishëm në funksionalizimin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe në forcimin e arkitekturës kombëtare të sigurisë kibernetike”.
Në njoftim gjithashtu theksohet mirënjohja për Dukatin e Madh të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e sigurisë kibernetike në Kosovë, si dhe për ekipet qeveritare që kontribuuan në realizimin e projektit. /Kosova.info/
