Gashani pret kampionët e kick boksit pas suksesit botëror

Ministri i Sportit dhe i Rinisë, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Federatës së Kick Boksit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Fatmir Makolli, si dhe me ekipin e sportistëve që përfaqësuan Kosovën në kampionatin botëror të mbajtur në Turqi.

Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet, planet dhe programi i Federatës së Kick Boksit të Kosovës, si dhe u diskutua për organizimin e garave dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti në vend.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua sukseseve të sportistëve tanë në Turkish WAKO World Cup, ku Kosova u përfaqësua denjësisht me një medalje të artë dhe dy medalje të bronzta, duke dëshmuar nivel të lartë të përgatitjes dhe potencial të madh në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu, u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale për federatën dhe sportistët, me synim avancimin e kick boksit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP