IMK: Mungesa e financimit për RTK-në përbën një kërcënim serioz

Instituti i Mediave të Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave shpreh shqetësimin e thellë lidhur me situatën aktuale në Radio Televizionin e Kosovës, i cili prej ditësh po përballet me mungesë të buxhetit dhe pamundësi për të kryer detyrimet themelore, përfshirë pagesën e pagave për punëtorët dhe mbulimin e shpenzimeve operative.

Nga IMK po ashtu thonë se mungesa e financimit për transmetuesin publik përbën një kërcënim serioz për funksionimin e tij të pavarur dhe për misionin që ka në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“RTK është një institucion i themeluar me ligj, i cili duhet të garantojë informim të paanshëm, arsimim dhe argëtim për publikun e gjerë – dhe pamundësia për të ushtruar këtë mandat për shkak të mungesës së buxhetit është e papranueshme”, thuhet në komunikatë. 

IMK apelojnë te institucionet përgjegjëse, përfshirë Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë, që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të zgjidhur këtë krizë financiare. Po ashtu kërkojnë që të sigurohet një model i qëndrueshëm dhe i pavarur i financimit për RTK-në, që garanton funksionim të rregullt dhe autonomi redaktoriale, larg ndikimeve politike. 

Tutje thuhet se në qendër të këtij problemi qëndrojnë punëtorët e RTK-së, të cilët, përkundër kushteve të vështira, vazhdojnë të kryejnë detyrën profesionale ndaj publikut.

“Ata meritojnë siguri financiare, dinjitet profesional dhe respekt institucional. Instituti i Mediave të Kosovës do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të mbështesë përpjekjet për forcimin e transmetuesit publik si shtyllë kyçe e demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Kosovë”, përfundon komunikata e IMK-së. /Kosova.info/


Go to TOP