IKSHPK: Probleme me ujin e pijshëm në disa rajone pas reshjeve të shumta, monitorim i shtuar në gjithë Kosovën
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike ditëve të fundit, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik ka intensifikuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas komunikatës, gjatë kësaj periudhe janë realizuar marrje të mostrave nga sistemet publike të ujëfurnizimit për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, me qëllim të vlerësimit të sigurisë së ujit për konsum.
Duke paraqitur situatën me ujin e pijshëm më 9 janar 2026, IKSHPK ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës, fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe, ndërsa fabrikat në Badoc dhe Batllavë funksionojnë normalisht dhe cilësia e ujit është brenda standardeve.
Në rajonin e Prizrenit, burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja teknike, ndërsa burimet Cvilen dhe Soz janë brenda standardeve. Në Suharekë dhe Dragash uji është i pijshëm, ndërsa në Malishevë përdoret vetëm për nevoja teknike.
IKSHPK njofton se në rajonin e Gjilanit, uji në qytetin e Gjilanit është brenda standardeve, por në Kamenicë, Viti dhe fshatrat Makresh, Ropotovë, Ranillug dhe Berivojcë janë regjistruar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk rekomandohet për pije.
Në rajonin e Pejës, uji në qytetin e Pejës dhe Istogut është brenda standardeve, ndërsa në Deçan, Junik dhe Klinë furnizimi me ujë është vetëm për përdorim teknik. Po ashtu, në Mbivadë, Vrellë dhe në burimin e Jarinës, uji shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike për shkak të turbullirës.
Në rajonin e Ferizajt, uji është i pijshëm dhe brenda standardeve, ndërsa në rajonin e Gjakovës, furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova konsiderohet i sigurt për pije. Megjithatë, në Hoqë të Madhe, Opterushë dhe Zaqisht, vlerat e turbullirës janë të rritura dhe uji nuk është i pijshëm.
Ndërkohë, në rajonin e Mitrovicës, uji përdoret vetëm për nevoja teknike.
IKSHPK thekson se në koordinim të vazhdueshëm me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik dhe Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, do të vazhdojë monitorimin e shtuar të cilësisë së ujit të pijshëm, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës dhe informimit me kohë të qytetarëve. /Kosova.info/
https://www.facebook.com/share/p/1EKgWfrPZb/