ISW: Financuesi i ushtrisë private të Putinit, konsiderohet si fytyra kryesore ruse në Ukrainë
Instituti për Studime të Luftës, ka publikuar analizën e re dhe kartën e konfliktit në Ukrainë.
Financuesi i ushtrisë private të presidentit rus Vladimir Putin, Wagner Group, Yevgeny Prigozhin, është etabluar si fytyra kryesore ruse në Ukrainë.
Gjatë ditës së djeshme, Prigozhin mbajti një fjalim për rekrutimin, duke i njoftuar të burgosurit rus që kishin marrë pjesë në luftë që nga 1 korriku, që sipas tij luajtën rol kyç në okupimin e termocentralit Vuhlehirska.
Blogeri ushtarak rus ka vërejtur që Prigozhin praktikon metoda staliniste, që i mundëson Kremlinit të shmang urdhërimin e mobilizimit në masë të gjerë që do të shkaktonte kriza sociale në shoqërinë ruse.
Blogerët ushtarakë shpesh lavdërojnë suksesin e Prigozhinit në Ukrainë, e disa madje thonë se do të duhej të shkarkohej ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që blogerët ushtarakë dhe ekspertët nga Kremlini e akuzojnë për humbjen e rusëve në rajonin e Kharkivit në Ukrainë.
Korrespondenti ushtarak dhe blogeri ushtarak, Maksim Fomin (i njohur si Vladlen Tatarski), pretendon se ka biseduar me Prigozhinini për situatën përgjatë kufirit Ukrainë-Rusi, pas tërheqjes së forcave ruse nga ky rajon.
Takimi Prigozhin-Fomin, nëse ka ndodhur, do të thotë që Kremlni po tenton t’i përgjigjet ankesave të bëra prej muajsh të blogerëve ushtarakë, se ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka dëgjuar kritikat e tyre që nxjerrin në pah joefikasitetin e komandës së lartë ruse.
Prigozhin është njeriu i besueshëm i Putinit, e raportet e tij me blogerët ushtarakë do ta ndihmojnë në ruajtjen e mbështetjes së blogerëve ushtarakë në përpjekjet e Kremlinit për luftë.
ISW ka vlerësuar më parë se Kremlini ka ndryshuar qasjen ndaj informacionet për t’iu përgjigjur kërkesave të blogerëve ushtarakë rusë dhe nacionalistëve – duke sugjeruar se Putini po kërkon të rifitojë komunitetin kritik të blogerëve ushtarakë nga dështimet e Rusisë.
