Hyseni mirëpret vendimin e qeverisë në detyrë për Gjilanin

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mirëpritur vendimin e qeverisë në detyrë për ndërtimin e qarkores së jashtme të qytetit të Gjilanit dhe lidhjen e rrugës nacionale deri te autoudha Velekincë – Livoç i Ulët dhe i Epërm.

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës është shqyrtuar e miratuar propozim-vendimi preliminar për shpronësim të interesit publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilët preken nga realizimi i projektit: Ndërtimi i qarkores së jashtme të qytetit të Gjilanit dhe lidhja e rrugës nacionale M25. II dhe M25. III deri te autoudha R7.1 (Velekincë – Livoçi i Ulët dhe i Epërm).

Sipas njoftimit, i pari i Gjilanit tha se është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit për ndërtimin e qarkores së jashtme të qytetit të Gjilanit dhe tash po vazhdohet edhe me procesin e shpronësimit të pronave të paluajtshme të prekura nga projekti.

“Për dallim nga e kaluara, ku rrugët janë ndërtuar pa shpronësim dhe pa respektuar të gjitha procedurat, tani po i bëjmë punët me rend e në mënyrë ligjore: njëherë shpronësimi i pronave dhe pastaj fillimi i punimeve. Kjo është mënyra e duhur për të garantuar drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetin tonë”, tha Hyseni, thuhet në njoftim.

I pari i Gjilanit falënderoi ministrin e Mjedisit, Liburn Aliun dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen e vazhdueshme. /Kosova.info/

Go to TOP