Hysen Sali Cekaj: Me trashëgiminë e heroit të Koshares, kërkon besimin e qytetarëve më 7 qershor
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Hysen Sali Cekaj me numër 46, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit duke theksuar përkushtimin e tij për të qenë zëri i tyre në institucionet e Kosovës.
Hyseni vjen nga një familje me kontribut të veçantë për lirinë e vendit, si djali i heroit Sali Cekaj, një nga figurat më të njohura të luftës çlirimtare dhe komandant në Betejën e Koshares, e cila konsiderohet ndër betejat më të rëndësishme dhe më simbolike të UÇK-së.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, ai ka kujtuar rrugëtimin e përbashkët me njerëzit ndër vite duke kërkuar besimin e tyre jo për veten, por për përfaqësimin e interesave të tyre në institucionet e vendit.
“Ju më njihni. E dini rrugëtimin tim, e dini përkushtimin tim dhe e dini se gjithmonë kam qenë pranë njerëzve”, ka thënë Cekaj.
Ai ka premtuar se do të vazhdojë të punojë për familjet, të rinjtë dhe një Kosovë më të zhvilluar duke theksuar se çdo votë e marrë nga qytetarët për të përfaqëson një përgjegjësi të madhe.
“Vota juaj është besim. Besimi juaj është përgjegjësia ime”, ka deklaruar kandidati i LDK-së duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e deritanishme. /Kosova.info/
