Abdixhiku në mesazh para heshtjes zgjedhore: Vendimi është në duart tuaja, e nesërmja e Kosovës është e bukur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një mesazh falënderimi në prag të heshtjes zgjedhore duke përmbyllur fushatën me tone mirënjohjeje dhe optimizmi.
Ai ka falënderuar mbështetësit për, siç u shpreh, “mbështetjen, inkurajimin, dorështrëngimet, fjalët e mira dhe besimin” gjatë gjithë fushatës duke përmendur takimet në rrugë, lagje dhe sheshe.
“Ky rrugëtim nuk u bë duke ndarë njerëz, por duke i bashkuar. Nuk u bë me zhurmë e mllef, por me besim se Kosova ka një rrugë të ndritur përpara,” ka deklaruar Abdixhiku.
Në mesazhin e tij para fillimit të heshtjes zgjedhore, ai theksoi se tashmë vendimi u takon qytetarëve.
“Tani, vendimi është në duart tuaja. E nesërmja e Kosovës është e bukur. Dritë do të ketë,” ka përfunduar ai. /Kosova.info/
