Hyseni: Vendimi i GJND-së për pavarësinë ishte fitorja më e madhe diplomatike e Kosovës pas 17 shkurtit
Në 16-vjetorin e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, ka kujtuar procesin që çoi në konfirmimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “fitoren më të madhe diplomatike të vendit pas shpalljes së pavarësisë”.
Hyseni tha se kishte koordinuar të gjithë procesin dhe kishte përfaqësuar Republikën e Kosovës para GJND-së duke shprehur krenarinë për rezultatin e arritur më 22 korrik 2010, kur Gjykata vendosi me 10 vota pro dhe 4 kundër se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ai rikujtoi se sfida nisi pas miratimit të Rezolutës 63/3 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në tetor 2008, e cila kërkonte një mendim këshillëdhënës nga GJND-ja. Sipas Hysenit, në atë kohë mbizotëronte skepticizëm se Kosova mund ta fitonte këtë betejë juridike, por ai kishte besim të plotë në forcën e argumenteve ligjore të shtetit të ri.
Ish-kryediplomati theksoi se, me mbështetjen e Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, iu dha përgjegjësia për të koordinuar procesin dhe për të zgjedhur ekipin që do ta përfaqësonte Kosovën. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e fuqishme të shteteve mike, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Austrinë, Shqipërinë dhe vende të tjera që mbrojtën pozitën e Kosovës në Gjykatë.
Hyseni zbuloi edhe një detaj të panjohur më parë, duke bërë të ditur se kishte përgatitur një letër dorëheqjeje të parevokueshme, të cilën e mbante me vete në rast se vendimi i GJND-së do të ishte i pafavorshëm për Kosovën.
Duke kujtuar momentin e shpalljes së vendimit më 22 korrik 2010 në Hagë, ai tha se emocioni i fitores dhe gëzimi i qytetarëve të Kosovës që e ndiqnin transmetimin drejtpërdrejt mbetet një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij politike. Sipas Hysenit, vendimi i GJND-së konfirmoi përfundimisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
