Përdorimi i inteligjencës artificiale në fushata politike, kërkohet më shumë transparencë
Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në komunikimin politik po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në fushatat zgjedhore në Kosovë duke hapur debat mbi nevojën për transparencë dhe informim të qartë të qytetarëve.
Sipas platformës Hibrid.info, përmbajtjet e krijuara me IA po përdoren për të ilustruar premtime elektorale, për të paraqitur vizione për të ardhmen, por edhe për të komentuar gjendjen aktuale shoqërore dhe institucionale.
Megjithëse këto materiale mund të jenë mjete efektive komunikimi, ekziston rreziku që një pjesë e publikut t’i perceptojë ato si pamje ose ngjarje reale. Për këtë arsye, transparenca konsiderohet element kyç në përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë fushatave politike.
Aktualisht, Kosova nuk ka një kornizë ligjore që obligon etiketimin e përmbajtjeve të gjeneruara me IA. Megjithatë, standardet evropiane, përfshirë AI Act, kërkojnë identifikimin e qartë të përmbajtjeve sintetike për të parandaluar dezinformimin dhe për të mbrojtur integritetin e debatit publik.
Hibrid.info thekson se përdorimi i inteligjencës artificiale në komunikimin politik mund të jetë i pranueshëm vetëm nëse shoqërohet me etiketime dhe deklarime të qarta, që u mundësojnë qytetarëve të kuptojnë natyrën e përmbajtjes që konsumojnë. Platforma vazhdon të avokojë për vendosjen e standardeve dhe mekanizmave që garantojnë transparencë në përdorimin e kësaj teknologjie në hapësirën publike. /Kosova.info/
