Hysa: Sulmi ndaj Iranit synon rrëzimin e regjimit
Gazetari Menduh Hysa ka deklaruar se sulmi ajror ndaj objektivave strategjike në Iran ka qenë i planifikuar me qëllim që të detyrojë Iranin të rikthehet në tryezën e negociatave për programin bërthamor dhe të shkaktojë pakënaqësi të brendshme ndaj regjimit iranian.
“Qëllimi i parë është të shtyhet Irani drejt negociatave, pasi ka sinjale serioze që ka avancuar në pasurimin e uraniumit. Qëllimi i dytë është të krijohet një valë pakënaqësie brenda vendit, një krizë e besimit të qytetarëve ndaj qeverisë së tyre,” deklaroi Hysa në emisionin ‘Speciale’ në RTK..
Ai thekson se ndër të vrarët në sulm kanë qenë shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian, për të cilët thotë se janë shumë më të pazëvendësueshëm se udhëheqësit ushtarakë.
“Në gjykimin tim, është shumë më e madhe goditja ndaj shkencëtarëve sesa ndaj shefit të shtabit. Irani ka një milion ushtarë, por nuk mund të kompensohen shkencëtarët bërthamorë,” tha ai.
Hysa thekson se sulmi është projektuar jo vetëm për të goditur fizikisht strukturat e regjimit, por edhe për të krijuar mosbesim në shoqërinë iraniane.
“Kur qytetarët shohin që mund të eliminohen figura kyçe si shefi i shtabit apo shkencëtarët pa asnjë paralajmërim, krijohet një ndjenjë frike dhe mosbesimi ndaj sistemit të sigurisë së shtetit,” shtoi ai.
Hysa ka deklaruar se sulmi i fundit ajror ndaj Iranit nuk është thjesht një reagim ushtarak ndaj programit bërthamor të Teheranit, por një operacion për të çuar drejt rrëzimit të regjimit të ajatollahëve.
“Ky është një sulm që do të zgjasë. Qëllimi nuk është vetëm presioni për negociata. Objektivi final është rrëzimi i ajatollahëve dhe ky proces ka nisur,” tha Hysa.
Hysa shton se një nga aspektet më të rëndësishme të këtij zhvillimi është fakti se Izraeli ka arritur të depërtojë brenda territorit iranian, përmes agjentëve të Mossad-it, të cilët kanë ngritur struktura operacionale muaj përpara sulmit.
“Me dronë që janë futur brenda Iranit dhe janë aktivizuar nga distanca, Izraeli tregoi që jo vetëm ka kapacitete ushtarake të larta, por edhe rrjet të fuqishëm brenda vetë Iranit,” deklaroi ai.
Hysa thekson se sulmi do të ketë pasoja për regjimin iranian, pasi krijon perceptimin te qytetarët se udhëheqësit nuk janë në gjendje t’i mbrojnë.
“Irani është një civilizim mijëvjeçar. Por kur qytetari i thjeshtë sheh që liderët më të lartë të vendit eliminohen, krijohet perceptimi i parë se këta njerëz që janë në krye nuk kanë kapacitet as organizativ as intelektual për t’i mbrojtur ata,” u shpreh ai.
Edhe nëse Irani pranon të ulet në tryezën e negociatave, Hysa mendon se kjo nuk do të ndalojë sulmet. Ai beson se kjo betejë do të vazhdojë derisa të arrihet ndryshimi i regjimit.
