Hudhrat e VMRO-DPMNE-së janë të hidhura dhe pikante, por edhe ato të LSDM-së nuk janë banane

Shkruan: Ejup BERIShA
Kohëve të fundit subjektet politike shqiptare apo dhe maqedonase në vendin tonë janë të përqendruara në përllogaritjet dhe në bërjen e planeve për të fituar në zgjedhjet e rregullta lokale që pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti këtu në RMV.

Për këtë qëllim partitë politike që planifikojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit kanë filluar të lidhin koalicione apo disa prej tyre edhe po planifikojnë të lidhen mes vete në koalicione përmes të cilave me forca të bashkuara do të mundohen që të sigurojnë fitore në zgjedhje. Një koalicion i tillë u paralajmërua mes LSDM-së, BDI-së, PDSH-së dhe Besës. Një tjetër mundësi për koalicionin u paralajmërua edhe mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit të partive shqiptare Alternativa dhe Aleanca për shqiptarët. Kur jemi te paralajmërimi i fundit për mundësi koalicioni kohëve të fundit sa i përket mundësisë për një koalicionin VMRO-DPMNE-AA dhe ASH dëgjojmë jo vetëm kritika dhe akuzë por edhe përqeshje për këtë mundësi bashkëpunimi parazgjedhor mes subjekteve politike opozitare maqedonase dhe subjekteve politike opozitare shqiptare. Këto kritika, akuza dhe përqeshje vijnë nga subjekti politik shqiptar në pushtet BDI. Të shohim kush është BDI ky subjekt politik. Pra siç u tha më lart në zgjedhjet lokale të radhës BDI ka vendosur të koalicioni me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë LSDM-në e Zoran Zaevit. Me sa e di opinioni LSDM-ja është subjekt politik maqedonas ani pse në të ka edhe shumë anëtar, simpatizuaes bile edhe militant shqiptar. Pra Partia e Zoran Zaevit është parti maqedonase e nuk është parti politike shqiptare opinioni të paktën e njeh dhe e percepton si të tillë subjektin politik maqedonas në pushtet LSDM-në. Pra ky subjekt politik maqedonas të paktën deri në këtë moment që unë po e shkruaj këtë tekst nuk është shndërruar në subjekt politik shqiptar. Prandaj janë të pavend, të pabaza dhe tendencioze akuzat, kritikat dhe përqeshjet që i adreson BDI deri te AA dhe ASH për paralajmërimin për bashkëpunimin e mundshëm parazgjedhorë me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet lokale të muajit tetor. Duhet theksuar se koalicionimet nuk janë të ndaluara me ligj por të njëjtat janë veprime apo dhe tendenca legale dhe legjitime të subjekteve politike jo vetëm në botë por edhe këtu te ne. Këtu nuk shoh vend për kritika, akuza dhe për përqeshje nga ana e BDI-së. Kur jemi te ky subjekt politik shqiptar për të koalicionimet nuk janë të panjohura në skenën politike vendore. Bashkimi Demokratik për Integrim ka koalicionuar edhe me VMRO-DPMNE-në por edhe me LSDM-në. Me këtë të fundit më pak ndërsa me të parën VMRO-DPMNE-në pak më shumë. Pra nëse BDI ka harruar opinioni publik nuk ka harruar se BDI me VMRO-DPMNE-në ka koalicionuar nga viti 2008 deri më vitin 2016. Dhe kur të analizohen rrethanat e bashkëpunimit të BDI-së me VMRO-DPMNE-në ato kanë qenë shumë të pafavorshme, shumë të rënda dhe shumë sfiduese për shqiptarët që nuk kanë qenë në një gjatësi valore me BDI-në. Prandaj është mirë që BDI të mos harrojë kaq shpejtë se ka bashkëpunuar edhe ajo shumë gjatë dhe ngushtë me VMRO-DPMNE—në e Nikolla Gruevskit dhe Sasho Miallkovit. E se kush ishin këta të dy për shqiptarët të gjithë shumë mirë e dinë këtë gjë. Nëse vet keni ngrënë shumë hudhra atëherë nuk mund ti thoni dikujt tjetër që është bërë gati të hajë hudhra ti mos ha se do të të vijë aromë e keqe. Aroma e keqe e koalicionimit të BDI-së me VMRO-DPMNE-në akoma është prezentë në ambientin politik shqiptar dhe në disa familje shqiptare. Nuk dua të përmend raste të shantazheve, rrahjeve dhe burgosjeve të shqiptarëve të pafajshëm në atë kohë prandaj mos ti hapim debatet e tilla sepse nuk është tendenca e as qëllim i këtij shkrimi. Unë nuk jam i naiv dhe nuk e marr guximin që të them se VMRO-DPMNE ka ndryshuar si subjekt politik në aspekt pozitiv por besoj se nuk do të jetë aq subjekt i dëmshëm dhe destruktiv për shqiptarët siç ishte ky subjekt gjatë udhëheqjes së dyshes Gruevski-Mijallkov. Bashkëpunimi i AA dhe ASH-së me VMRO-DPMNE-në do të jetë i pranueshëm dhe i arsyeshëm  vetëm në saje të një platforme dhe të kushteve që do ti parashtrohen subjektit opozitar maqedonas VMRO-DPMNE-së nga ana e partive opozitare shqiptare AA dhe ASH për bashkëpunim. Unë besoj se AA dhe ASH nuk do të bashkëpunojnë për sy të zi me VMRO-DPMNE-në por do të mundohen të sigurojnë fitore në zgjedhjet lokale të muajit tetor gjë që është tendencë e pranueshme dhe e ligjshme për çdo subjekt politik. Pra nëse BDI mundet dhe bashkëpunon dhe ka bashkëpunuar me Parti maqedonase në zgjedhje të ndryshme si lokale parlamentare dhe presidenciale atëherë BDI le të tregojë se pse të mos mund të koalicionojnë AA dhe ASH me VMRO-DPMNE-në tanimë të pakontrolluar dhe të jo të udhëhequr direkt nga dyshja Gruevski-Mihajllov.      

Go to TOP