A po bëhen shkelje me emërimin e ambasadorëve të karrierës?

Pas daljes në media rreth emrave të disa ambasadorëve të karrierës që presin emërimin, brenda stafit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë filluar të shprehen pakënaqësitë. Kjo për arsye të formës së njëanshme dhe të fshehtë të emërimit të këtyre ambasadorëve, shkruan Kosova.info.

Sipas rregullave të promovuar nga partitë tani në pushtet, forma e emërimit të ambasadorëve të karrierës të emëruar deri më tani është forma e cila më së shumti është kritikuar.

Në këtë kontekst, ata thonë se pa kurrfarë paralajmërimi për shprehje të interesit të diplomatëve të karrierës rreth vendeve të lira për ambasadorë karriere, ministrja Gërvalla-Schwarz dhe presidentja Osmani kanë bërë plotësimin e vendeve në mënyrë të njëanshme, i kanë thënë burime brenda kësaj ministrie Kosova.info.

Kjo ka bërë që një numër i mirë i diplomatëve të ndihen të pa trajtuar në mënyrë të barabartë dhe jodinjitetshëm.

Kjo për arsye se brenda këtyre ambasadorëve të përmendur ka njerëz që nuk i plotësojnë kriteret, krahasuar me një numër të madh të diplomatëve të cilët janë brenda ministrisë, por ata janë emëruar në bazë të simpatisë dhe afërsisë me partitë në pushtet apo madje ka zëra që flasin për ndikimin e madh të bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani i cili tani mbanë detyrën e të Ngarkuarit me Punë në ambasadën e RKS në Shkup.

Kjo ka bërë që shumë diplomat me një përvojë të bujshme në udhëheqje të suksesshme misionesh, me grada më të larta madje edhe me shkollim superior të i lërë anash dhe të pa trajtuar dinjitetshëm.

Brenda ministrisë madje ka zëra që flasin edhe për tërheqjen e disa këshilltarëve të ministres Gërvalla-Schwarz. Kjo, pasi që planifikohet që ata pastaj të jenë në stafin e pranuar civil pasi të hapet konkursi i mundshëm për pranim të stafit të ri brenda MPJD.

Gjithashtu shtyrja e tërheqjes së konsujve të përgjithshëm politik, përbën një shkelje. Kjo pasi që ky ishte procesi më i diskutueshëm deri më tani.

Zëra brenda ministrisë flasin për këtë dhe thuhet që për shkak të konsullit të përgjithshëm në Munih i cili qëndron nën mburojën e Rifat Jasharit dhe disa konsujve të përgjithshëm nën mburojën e Pacollit, shtyrja planifikohet deri pas zgjedhjeve. Kjo për shkak të frikës nga dëmtimi në zgjedhje nga këta njerëz.

E në fakt, ligji do lejonte ambasadorët politik, por jo edhe Konsujt e Përgjithshëm të cilët do duhej të ishin të karrierës. Me mos tërheqjen e tyre në fakt ministrja Gervalla-Schwarz, për çdo ditë legjitimon shkeljen e ligjit.

Një veprim tjetër brenda ministrisë i cili ka zgjuar pakënaqësi është edhe çështja e kufizimit të diplomatëve për gradim, duke bërë që ata të ndjejnë shkeljen e të drejtës së tyre për avancim.

Në ftesën e ministrisë për shprehje të interesit për gradim kufizohen konkurrimi i diplomatëve me gradën ministër-këshilltar të cilët do të kishin mundësinë të avancoheshin në gradën ministër fuqiplotë.

Ky kufizim do të bënte që vetëm bashkëshorti i Presidentes Osmani të ketë këtë gradë si dhe vëllai i deputetit të LDK Armend Zemaj, Astrit Zemaj-tani ushtrues detyre i ambasadorit në Bruksel dhe vëllai i deputetit tjetër të LDK Arben Gashi, Asdren Gashi gjithashtu me detyrë ambasadori në Shkup.

Për më tepër, brenda ftesës është futur edhe një pasus që duket madje kërcënues për stafin e ministrisë ku thuhet që “shprehja e interesit nuk paragjykon proceset tjera që do të ndodhin në të ardhmen në MPJD në kuadër të verifikimit të gradave…”.

Nga përvoja e përpjekjes së uljes në pozita të personave të caktuar brenda ministrisë, verifikimi i gradave do të mund të degradonte diplomatët e karrierës dhe burime brenda MPJD thonë që këtu do të shfaqej hakmarrja politike ndaj shumë diplomatëve. /Kosova.info/

Go to TOP