Hoxhë Bekim Jashari: Kurani po zëvendësohet në heshtje – një grusht shteti kundër fesë dhe unitetit

Hoxha nga Podujeva, Bekim Jashari ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan “zëvendësim të heshtur të Kuranit me mendimet, interpretimet dhe komentimet e njerëzve” duke e cilësuar këtë proces si një grusht shteti të heshtur kundër fesë islame dhe vlerave të saj themelore.

Sipas Jasharit, sot po vihet re një tendencë shqetësuese ku mendimi individual dhe autoriteti sektar po marrin përparësi ndaj Fjalës së Zotit duke e vendosur Kuranin në plan të dytë. Ai thekson se njerëzit po pyeten gjithnjë e më shumë se cilit sekt i takojnë, para se të pyeten për intelektin, moralin dhe vetëdijen e tyre.

“Feja po mbahet peng nga individë që në heshtje e kanë vendosur Kuranin në plan të dytë. Kauzat sektare janë shndërruar në idhuj dhe shenjtëri të rreme duke prodhuar ndarje, përçarje dhe grupe të skaduar në kohë”, shprehet Jashari.

Ai kritikon ashpër faktin se në diskursin fetar po dëgjohet gjithnjë e më pak shprehja “Zoti tha”, ndërsa gjithnjë e më shumë përmenden mendimet e njerëzve, dijetarëve apo komentuesve duke e cilësuar këtë si një shtrembërim sistematik të fesë në emër të mendimit individual.

Duke iu referuar ajetit kuranor: “Dhe mos u bëni ndër ata që e kanë ndarë fenë e tyre dhe janë bërë sekte”, Jashari thekson se ndarja e fesë dhe shndërrimi i saj në sekte nuk është pasuri, por një devijim i rrezikshëm që çon drejt idhujtarisë intelektuale.

“Problemi nuk është numri i shkollave të mendimit, por momenti kur sektarizmi shndërrohet në autoritet mbi Kuranin. Kjo është forma më e rrezikshme e devijimit”, thekson ai.

Sipas Jasharit, edhe më shqetësuese është shtrirja e kauzave sektare në dëm të kauzës kombëtare duke cenuar unitetin shoqëror dhe interesin e përgjithshëm të shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në fund, ai thekson se zgjidhja nuk qëndron në riparimin e strukturave ekzistuese, por në çmontimin e shenjtërisë së rreme të sektarizmit duke rikthyer Kuranin në qendër të besimit, mendimit dhe veprimit fetar.

“Duhet të kthehemi te thelbi: Kurani mbi gjithçka dhe mbi këdo. Vetëm kështu ruhet feja, uniteti dhe dinjiteti ynë,” përfundon Jashari. /Kosova.info/

Go to TOP