Hoxhaj sfidon Hamzën: Hajde në debat publik – PDK ka nevojë për garë të madhe dhe demokratike

Ish-kryediplomati dhe kandidati për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka lëshuar një ftesë të hapur publike për kundërkandidatin Bedri Hamza që të përballen në një debat televiziv javën e ardhshme. Ai deklaroi se një ballafaqim i tillë do të vendoste një standard të ri të garës brenda PDK-së dhe do t’i shërbente gjithë opinionit publik.

“Ta kemi një javë të një ballafaqimi publik e politik, këtu në Klan. E ftoj z. Hamza që të dalim dhe debatojmë. Hajde, të vendosim një standard të ri,” u shpreh Hoxhaj në emisionin Rubikon.

Sipas tij, gara për kryetar të PDK-së nuk guxon të shihet si proces i vogël partiak, por si një ngjarje madhore politike për Kosovën. Ai theksoi se ky proces duhet të jetë shembullor dhe të hapë një kapitull të ri për vitin 2026.

“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së është garë e madhe politike në interes të Kosovës,” tha Hoxhaj duke shtuar se synon që procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe transparente.

Ai theksoi se forcimi i PDK-së është i rëndësishëm edhe për të paraburgosurit në Hagë duke përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin:

“Në pranverë, dua që ata ta shohin një PDK të fortë.”

Hoxhaj konfirmoi edhe njëherë vendosmërinë për të garuar për postin e kryetarit duke thënë se platforma e tij për të ardhmen e PDK-së do të prezantohet publikisht. Ai bëri të ditur se zhvillimet politike dhe kriza në vend janë arsyet kryesore që e kanë shtyrë të hyjë në garë.

“Po të kisha qenë në krye të PDK-së, bashkë me opozitën, sot do të kishim pasur një Kosovë pa krizë, pa ngërç,” tha ai.

Kandidati i PDK-së kritikoi edhe organizimin e Konventës së partisë, e cila pritet të mbahet të hënën. Sipas tij, po tentohet të shmanget gara e brendshme dhe po favorizohet një rreth i ngushtë prej 4–5 personash.

“Konventa është improvizim, intrigë politike. Procesi nuk është as politik, as demokratik. Ish-kryetari do të duhej ta përgatiste procesin dhe ta pjekë debatin,” theksoi Hoxhaj duke kërkuar më shumë hapje dhe përfaqësim të gjerë në strukturat e partisë.

Ai shtoi se një lider që pretendon ta udhëheqë vendin dhe të mbajë raporte me Evropën e SHBA-në, përfshirë administratën Trump, nuk mund të jetë i paaftë të komunikojë dhe dialogojë me partitë politike brenda vendit.

“Nëse dikush pretendon të udhëheqë vendin dhe të ketë raporte me botën, nuk mund të mos jetë në gjendje të bëjë kompromis dhe dialog për ta zgjidhur krizën,” deklaroi ai.

Ftesa për debat nga Hoxhaj e vë në qendër të vëmendjes garën për kreun e PDK-së, e cila pritet të jetë një nga zhvillimet kryesore politike të ditëve në vijim. /Kosova.info/


Go to TOP