Hoxhaj: Kuvendi u bashkua për viktimat, por vetë shteti ka financuar disa projekte që godasin themelin
Deputeti Enver Hoxhaj nga radhët e PDK-së ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te Rezoluta e miratuar në Kuvendi i Kosovës.
Hoxhaj e ka cilësuar miratimin e rezolutës si një hap të rëndësishëm për shtetin dhe për viktimat e luftës, duke theksuar rëndësinë e unitetit politik.
“Mendoj se miratimi i rezolutës për mbrojtjen e viktimave dhe për të vërtetën historike të luftës përbën një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe një moment domethënës për Kuvendin, por mbi të gjitha për viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia. Është shumë pozitive që rezoluta u miratua unanimisht, duke marrë mbështetjen e plotë të deputetëve. Ky unitet i grupeve parlamentare i jep një peshë të veçantë këtij qëndrimi dhe e forcon zërin institucional të Kosovës.”
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me mënyrën e financimit të projekteve që, sipas tij, mund të dëmtojnë interesat shtetërore.
“Shteti duhet të reflektojë seriozisht jo vetëm për qëndrimet politike, por edhe për atë që financon. Nuk mund të mbështeten iniciativa që bien ndesh me vetë themelin e shtetit. Financimi i ekspozitës së Shkëlzen Gashit, në thelb, cenon narrativën dhe interesin shtetëror të Kosovës. Nuk duhet të përkrahim ide të gabuara nga individë apo organizata që dëmtojnë perceptimin për shtetin tonë. Ky ishte një skandal i përmasave të mëdha.”
Në fund, Hoxhaj ka paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, vijnë nga qasja e Serbisë dhe Rusisë në rajon.
“Rikthimi i politikës hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut është shqetësues dhe i rrezikshëm. Serbia vazhdon ta shohë shtetin e Kosovës si të përkohshëm, prandaj ne duhet të jemi vigjilentë dhe të mos lejojmë hapësirë për qasje të tilla. Lufta hibride që po zhvillohet duhet të na shërbejë si mësim, sidomos në raport me atë që financojmë dhe mbështesim në çështje historike dhe të luftë, ashtu siç ishte ekspozita e fundit e financuar nga Kuvendi.” /Kosova.info/
