Hoxha: Spanja e jashtëzakonshme, por vetëm fitorja na kualifikon

Futbollisti kosovar në radhët e Kombëtares së Shqipërisë, Arbër Hoxha, shprehu optimizmin dhe vendosmërinë e tij përpara ndeshjes së rëndësishme kundër Spanjës në Euro 2024.

Në konferencën për shtyp të mbajtur sot në kampin e kuqezinjve Hoxha foli për përgatitjet dhe gjasat e ekipit shqiptar për të arritur një fitore historike ndaj Spanjës, një ekip i frikshëm dhe shumë i respektuar në arenën ndërkombëtare.

Hoxha ka qenë një lojtar me ndikim në ekip, sidomos gjatë ndeshjes së dytë kundër Kroacisë, ku Shqipëria arriti të barazonte falë kontributit të tij. Ai tregoi se edhe pse ka pasur pak minuta në këto dy ndeshje, ka dhënë maksimumin e tij në fushë dhe është shumë i lumtur që është pjesë e kësaj skuadre.

“Në ato minuta kam menduar të jap maksimumin. Jam i lumtur që jam këtu. Ndaj Kroacisë bëmë më shumë dhe arritëm të barazonim. Tani kemi Spanjën dhe shpresoj të fitojmë”, tha ai.

Kur u pyet për skuadrën e tij të preferuar, Hoxha pranoi se është tifoz i Real Madridit, dhe e pranoi se Spanja ka një skuadër të jashtëzakonshme. “Spanja ka një skuadër të jashtëzakonshme dhe bëri një ndeshje të shkëlqyer me Italinë. Ne duhet të kemi një qasje të mirë në ndeshjen e radhës dhe të tentojmë fitoren,” shtoi ai.

Duke folur për përgatitjet për ndeshjen kundër Spanjës, Hoxha theksoi se skuadra shqiptare është e përkushtuar dhe e motivuar për të fituar, sepse vetëm ky rezultat do t’i kualifikojë. “Duke marrë parasysh se kemi luajtur shumë mirë në ndeshjen e fundit me Kroacinë, besoj se do të futemi në fushë për të fituar, sepse vetëm ai rezultat na kualifikon”, tha Hoxha.

Lidhur me lojtarët më të mirë të Spanjës, Hoxha përmendi Rodri dhe Williams si ndër më të mirët, duke theksuar cilësinë e lartë të kundërshtarëve. “Janë shumë lojtarë të mirë, një ndër më të mirët është Rodri, mund të përmend edhe Williams, anësor i majtë”, tha ai.

Në fund, Hoxha shprehu gatishmërinë e tij për të luajtur si titullar dhe për të dhënë maksimumin për ekipin. “E vendos trajneri, unë sado të luaj, do të jap maksimumin. Duhet të japim maksimumin dhe të kemi qasjen e duhur. Duhet të jemi të kujdesshëm, të shfrytëzojmë kundërsulmet dhe rastet e pakta që do të kemi”, përfundoi ai.

Go to TOP