Hoxha i guximshëm – theu akullin

Shkruan: Pal ShTUFI

Të gjithëve na theu zemrën vdekja e djalit të ri, Triumf F. Feratit. Nuk ishte vdekje e natyrshme. Ishte vetëvrasje tejet e dhembshme. Por, askush as edhe një fjalë për vetëvrasjen. Asnjë medium informativ nuk e tha se Triumfi ka bërë vetëvrasje. Nuk u pa as në rrjetet sociale të flitej për plagën që me kaq disiplinë e fshehim. As postmortum nuk shkruan njeri, pos vajtime e dhembje. Të gjithë ikin nga kjo temë, pos një hoxhë i nderuar, i cili guximshëm preku tabutë tona. Guximshëm dridhi botën tonë arkaike, në të cilën fshehim pafuqinë tonë dhe mungesën e guximit për tu përballur me të vërtetën – me jetën!

Hoxha e bëri edhe një vepër humane, të cilën nuk po e bëjnë mjaftueshëm as prindërit për fëmijët e tyre. Ai iu drejtua të rinjve që të flasin hapur. Të rrëfejnë për çdo gjë që i mundon, sepse “çdo problem ka zgjidhje, vetëm vdekja nuk ka zgjidhje” – tha hoxha i mirë, i sinqertë dhe i guximshëm.

BOTA JONË E MBYLLUR

Që nga e kaluara e largët kemi trashëguar shumë gjëra të dëmshme. Ndër to edhe botën e mbyllur, bashkë me të pathënat tona të ngujuara. E mbyllura është gjysmë e gjallë dhe gjysmë e vdekur. E mbyllura është e panjohur dhe si e tillë ajo di të jetë edhe e dëmshme. Në raste të veçanta e mbyllura di të vret, siç vrau Triumfin e mirë.

Fëmijët tanë nuk e meritojnë këtë trashëgimi. Fëmijët duhet të edukohen ndryshe nga ne. Në fakt, ata janë duke jetuar në globalizëm, ku fuqia dhe shpejtësia e komunikimit janë ABC-ja e jetës. Përfytyrojeni një të ri, i cili për pak minuta është në gjendje të komunikoi hapur me njerëz, në të katër kontinentet, por asnjëherë me prindërit e tij, me të afërmit e tij ose me miqtë e tij, sepse ai nuk është mësuar të rrëfehet për botën e tij të brendshme, për defektet eventuale shpirtërore apo të personalitetit.

Nuk lindin të gjithë njerëzit me karakter e vullnet të fortë. Ka të tillë që kanë nevojë të komunikojnë e që pastaj përmes komunikimit t’i përmbushin nevojat e tyre të brendshme. Dhe, askush më mirë se prindërit nuk është në gjendje ta çel botën e fëmijëve për komunikim.

Rrëfimi shëron, sepse përmes tij bota e mbyllur fiton frymë të re e vetëbesim të madh, këtë element qenësor të zhvillimit normal të personalitetit të njeriut. Përmes rrëfimit arrihet të zgjidhet nyja, e cila shpeshherë lidhet keq brenda personalitetit të njeriut.

Kurrë nuk i dihet, një bisedë e hapur mund të bëhet shkak i një zgjidhjeje të brendshme në botën e trazuar të të rinjve. Kjo zgjidhje, pastaj bëhet zinxhir zgjidhjesh tjera, të cilat janë të lidhura mes vete, mu si shkaku dhe pasoja. Ndoshta Triumfi sot do të ishte në mesin tonë sikur ai të guxonte të këshillohej me cilindo anëtarë të familjes, psikiatër a psikolog.

SËMUNDJET NUK JANË TURP

Nuk është e turpshme nëse kemi një sëmundje, qoftë trupore ose shpirtërore. Nuk është turp të tregojmë nëse kemi depresione, ankthe, skizofreni, pengesa bipolare ose ngarkesa post-traumatike.

Nuk është turp të rrëfehesh nëse e humbë besimin tek njerëzit dhe tek vetja, e si pasojë fillon i frikësohesh jetës. Nga momenti që e sheh jetën të si të huaj, nga ai moment ke nevojë për ndihmën e prindit, vëllait, motrës, shokut dhe psikiatrit.

Që të mos kemi përfundime tragjike, fëmijët tanë kanë nevojë për më shumë dritë në botën e tyre të mbyllur, të mbyllur shkaku i trashëgimisë së keqe.

Hapuni! Mjaftë më në guaskën mesjetare. Vetëm jeta e hapur ka kuptim, sepse kur kemi dalë prej barkut të nënave tona, kemi dalë në botën plot dritë, hapësirë dhe frymë. Prej asaj dite, s’ka më kuptim mbyllja dhe terri. Ka kuptim drita, hapja, komunikimi, dashuria dhe prosperiteti. Vdekjes nuk i bëhet vonë.

* * *

Respekt për hoxhën në video. Pastë faqen e bardhë!

Go to TOP