Hoti: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” -angazhim i palëkundur për miqësinë me ShBA

Visar Hoti, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka riafirmuar përkushtimin e tij për thellimin e miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një deklaratë të fundit, Hoti theksoi se filozofia e tij politike dhe puna publike janë ndërtuar mbi mësimet e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Shtëpia nuk mbahet pa miq. Ky ka qenë drejtimi që kam ndjekur çdo ditë të punës sime si deputet, mbi të gjitha amanet i Presidentit Rugova,” tha Hoti.

Ai ndau emocionet e tij për nderin që iu bë nga ekipi inaugures i Presidentit Donald Trump, duke pranuar ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë historike të inaugurimit të tij më 20 janar.

“Kjo ftesë është një nder i madh që shton përkushtimin tim për më shumë punë dhe angazhim në ruajtjen dhe thellimin e kësaj miqësie të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shtoi ai.

Hoti deklaroi se kjo eksperiencë e bën atë edhe më të vendosur për t’i shërbyer vendit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se lidhja strategjike me SHBA-të është themeli i një të ardhmeje të ndritur për Kosovën.

Ai përfundoi mesazhin e tij me një thirrje për bekim mbi Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Visar Hoti mbetet një nga zërat e spikatur të LDK-së, duke promovuar vlerat e partneritetit të fortë dhe vizionin e ndërtimit të një Kosove demokratike e të zhvilluar. /Kosova.info/


Go to TOP