Hoti: Kryesuesi i Kuvendit po vepron në kundërshtim me Kushtetutën – LDK sërish në Gjykatë Kushtetuese
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar kryesuesin e përkohshëm të Kuvendit për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës, të cilat, sipas tij, janë të dirigjuara nga partia që ai përfaqëson. Në një reagim publik, Hoti ka bërë të ditur se LDK-ja e ka dërguar sërish çështjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi aktgjykimi i fundit i këtij institucioni nuk po zbatohet.
Hoti thekson se LDK-ja e ka përmbushur detyrimin kushtetues për të marrë pjesë në votim sa herë që grupi më i madh parlamentar ka propozuar kandidate për Kryetare të Kuvendit. Sipas tij, vendimet e fundit për të ndryshuar mënyrën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, janë bërë në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe praktikat parlamentare të mëparshme.
“Një kandidat që nuk merr mbështetje disa herë në votim të hapur, mund të zgjidhet me votim të fshehtë vetëm nëse kontrabandohen votat,” ka deklaruar Hoti.
Ai ka shprehur pakënaqësi edhe me përmbajtjen e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se çështja e formës së votimit është trajtuar në arsyetimin e aktgjykimit, por nuk është përfshirë në dispozitiv, ndonëse ishte kërkuar qartësisht nga parashtruesit.
Hoti ka rikujtuar se edhe në të kaluarën ka pasur vendime të Gjykatës Kushtetuese që, sipas tij, nuk kanë qenë në frymën e Kushtetutës dhe kanë lënë pasoja për institucionet dhe demokracinë në Kosovë. Ai paralajmëron se refuzimi për të respektuar parimin e shumicës po e kthen vendin në krizë institucionale dhe politike.
“Sot, një ish-kryeministër qëndron në zyrë në mënyrë jokushtetuese. Sot, një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk respektohet dhe si rezultat vendi mbetet pa institucione tash e katër muaj, me pasoja të mëdha politike për procesin e integrimit euroatlantik dhe me pasoja ekonomike të pamatshme e afatgjata,” përfundoi Hoti.
LDK ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të sqarojë pa mëdyshje se forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë në përputhje me praktikën parlamentare dhe që çdo devijim të trajtohet si shkelje kushtetuese. /Kosova.info/
