Hoti kritikon Presidencën për projektin e gazit: Sheshet do të mbushen me protestues së shpejti
Deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti, ka reaguar lidhur me deklaratat e institucioneve të Kosovës për projektin e gazit duke kritikuar qëndrimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes.
Përmes një postimi publik, Hoti ka shtruar pyetjen se si është e mundur që ushtruesja e detyrës së Presidentes të deklarojë se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me projektin e gazit.
“Si mund të deklarohet U.D. e Presidentes se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me projektin e gazit?”, ka shkruar ai.
Hoti ka paralajmëruar se çështja është shumë serioze dhe se reagimi qytetar do të bëhet i dukshëm në periudhën e ardhshme.
“Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti”, është shprehur ai.
Sipas Hotit, për vite me radhë paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë janë minimizuar, sulmuar ose shpërfillur nga pushteti.
“Për vite me radhë, kur paralajmërimet kanë ardhur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi parë një qasje për t’i minimizuar, për t’i sulmuar ose për t’i shpërfillur”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i LDK-së e ka cilësuar si të papranueshme qasjen e institucioneve ndaj një çështjeje që, sipas tij, është jetike për të ardhmen e vendit duke vlerësuar se serioziteti ndaj kësaj teme tregon prioritetet e qeverisjes aktuale. /Kosova.info/
