Ekskluzive: Prokuroria e Kosovës dërgon fletëthirrje për krime lufte edhe në Serbi, reagime në Beograd

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur dërgimin e fletëthirrjeve lidhur me hetime për krime lufte edhe në adresa në Serbi, më saktësisht në Zemun, mëson Kosova.info nga burime të sigurta.

Zhvillimi ka nxitur reagime në Serbi, ku disa figura publike dhe aktivistë kanë shprehur pakënaqësi për faktin se fletëthirrjet e institucioneve të Kosovës po arrijnë në adresat e qytetarëve serbë.

Njëri prej tyre, aktivisti serb Željko Vidaković, në një postim publik ka pretenduar se një thirrje nga Prokuroria e Kosovës ka mbërritur në një adresë në Zemun, duke ngritur pyetje se si institucionet e Kosovës kanë siguruar të dhënat e nevojshme për dërgimin e saj.

“Kjo që po shihni është një thirrje e ashtuquajtur e Prokurorisë së Kosovës që ka arritur në adresën në Zemun. Si është e mundur që Posta e Serbisë i dorëzon këto thirrje?”, ka shkruar ai.

Vidaković ka kritikuar gjithashtu autoritetet në Beograd, duke pretenduar se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ka dobësuar pozicionin e Serbisë në raport me institucionet e Kosovës.

Rasti vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë intensifikuar hetimet për krimet e luftës, ndërsa çështja vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me këtë rast specifik.

Go to TOP