Hoti: Komunikimi me persona që kanë vepra kriminale nuk i bënë mirë Kosovës

Profesori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Afrim Hoti ka folur rreth deklaratave të kryeministrit Albin Kurtit që kanë të bëjnë me përgjimin e Mimoza Kusari-Lilës me kriminelin Milan Radojqiç, i cili tha se kjo vetëm se po dramatizohet se nuk ka asgjë.

I ftuar në ‘Info Plus’ të RTK-së, Hoti tha se nuk ka informacione specifike, porse sipas tij, ajo që shihet qartazi dhe po vërehet është se edhe Kurti bënte veprime të tilla e plasonte informacione dhe video të tilla për aq kohë sa subjektet e tjera qeverisnin me vendin.

Mirëpo, sipas Hotit, komunikimi me persona me vepra kriminale e madje edhe terroriste nuk i bënë mirë vendit.

“Tashmë si duket janë në pozicione të kundërta me opozitën, ndonëse për këtë incizim nuk mund të prejudikoj, sepse nuk kam asnjë informacion specifik. Mirëpo, nëse kjo është e vërtet mendoj se është veprim tragjik për vendin, jo vetëm për Kosovën por edhe për vendet e tjera ngase nuk u bënë mirë madje as demokracisë asnjë lloj komunikimi me personat të cilët janë pjesë e listës së zezë të ShBA-së”, tha Hoti në RTK.

Ai tha se nëse vërtet ka pasur komunikime të tilla nuk ka asnjë arsyetim sepse një veprim i tillë do të përballej me pasojat.

 “Mbi këtë bazë mendoj se nuk do të duhej të zinte vend një gjë e tillë në politikën e Kosovës, pasi që Kosova ishte viktimë e këtij terroristi dhe si e tillë është trajtuar jo vetëm nga vendi por edhe nga komuniteti ndërkombëtarë. Pra nuk ka jusifikim nëse një gjë e tillë ka ndodhur, sepse do të ishte një veprim që do të përballej me pasojat”, tha Hoti.

Go to TOP