Hoti: Hipokrizia e Kurtit mbi marrëveshjen e Washingtonit është dështim historik

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij të ndryshuar mbi Marrëveshjen e Washingtonit duke e cilësuar si një rast të pastër të mashtrimit politik.

Hoti thekson se Kurti, i cili ndërtoi një pjesë të madhe të karrierës së tij politike duke sulmuar ashpër këtë marrëveshje, tani e pranon publikisht rëndësinë e saj, siç është shprehur në një intervistë për gazetën spanjolle El Mundo.

“Moszbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit nga qeveria e Kurtit ka shkaktuar humbje të mëdha për Kosovën, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë,” deklaroi Hoti.

Ai vuri në pah se arroganca dhe mungesa e diplomacisë kanë dëmtuar rëndë interesat e Kosovës, ndërsa tashmë Kurti përpiqet të arsyetohet për dështimet e tij.

“Kjo është ajo që ndodh kur politika bazohet në propagandë dhe akuza të pabaza. Kurti dhe qeveria e tij janë përgjegjës për humbjen e një mundësie historike,” përfundoi Hoti duke shtuar se qytetarët nuk do të mashtrohen më nga deklaratat boshe të kryeministrit. /Kosova.info/


Go to TOP