Hodaj jep dorëheqje nga kryesia e degës së LDK-së: Vendimet arbitrare kanë shkelur besimin dhe parimet
Haziz Hodaj ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e arsyetuar këtë vendim me, siç ka thënë ai, shkeljen e fjalës së dhënë, mungesën e komunikimit dhe marrjen e vendimeve arbitrare pa konsultim me organet e partisë.
Në reagimin e tij publik, Hodaj ka theksuar se, në vend të reflektimit mbi humbjet e njëpasnjëshme, brenda strukturave po mbizotëron një papërgjegjësi shqetësuese që vetëm sa i thellon gabimet. Ai ka kërkuar drejtpërdrejt përgjegjësi politike duke vlerësuar se dorëheqja është akt dinjiteti dhe jo dorëzim.
“Kur fjala e dhënë shkelet, kur parimet përjashtohen dhe heshtja zë vendin e komunikimit, dorëheqja mbetet e vetmja rrugë e ndershme. Jo për t’u larguar nga përgjegjësia, por për të mos u bërë pjesë e pabesisë”, ka deklaruar Hodaj.
Ai ka sqaruar se vendimi për t’u larguar nga Kryesia vjen si pasojë e vendimeve të marra pa marrëveshje, pa konsultim dhe jashtë çdo vendimi të Kryesisë së Degës, të cilat, sipas tij, cenojnë parimet dhe e bëjnë të pamundur vazhdimin e përgjegjësisë me integritet.
Hodaj ka theksuar se do të mbetet i palëkundur në parimet e tij dhe besnik ndaj besimit të votuesve duke e cilësuar këtë si një detyrim moral që nuk mund të shkelet në asnjë rrethanë.
Në postskriptumin e reagimit, ai ka ngritur shqetësime edhe lidhur me emrat e propozuar për drejtorë të drejtorive nga radhët e LDK-së duke thënë se ata janë dërguar pa pëlqimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal. Në këtë kontekst, Hodaj i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, që të mos marrë vendime pa u konsultuar me këshilltarët e LDK-së, me përjashtim të drejtorit të Urbanizmit. /Kosova.info/
