Hetimi për dhunën në shkollën `Pavarësia` zgjerohet edhe ndaj drejtorit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar për RTKlive prokurorja Jehona Grantolli.

Ajo tregoi se, pas sigurimit të një audio-incizimi ku shihet se edhe drejtori i shkollës ushtron dhunë ndaj nxënësit, hetimi është zgjeruar edhe ndaj tij.

Ndërkohë, Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, për RTKlive ka thënë se ndaj drejtorit të shkollës po zhvillohen hetime për keqtrajtim të detyrës zyrtare.

“Ju njoftojmë se lidhur me dhunën ndaj nxënësit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës ‘Pavarësia’. Hetimet ndaj tij zhvillohen në drejtim të veprës penale ‘keqtrajtim i detyrës zyrtare’”, ka thënë Shala.

RTKlive ka provuar të kontaktojë me drejtorin e shkollës, por deri në publikimin e lajmit ai ka qenë i paqasshëm.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar një video ku shihet drejtori i shkollës duke e goditur nxënësin. 


Go to TOP