Helmimi i pesë ushtarëve të FSK-së në Gjilan, në analizat mikrobiologjike nuk është gjetur asnjë baktere që shkakton helmim

Pesë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u raportua se ishin helmuar me ushqim pasi kishin ngrënë syfyr në kazermën “New Born” në Gjilan, javën e kaluar.

Nga analizat mikrobiologjike të kryera ka rezultuar se nuk ka pasur baktere patogjene të cilat shkaktojnë helmim me ushqim.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje me shkrim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

IKSHPK ka bërë të ditur se në mostrën e sallatës janë identifikuar baktere të gjalla mezofile.

“Analizat mikrobiologjike, respektivisht rezultatet e koprokulturës kanë rezultuar pa baktere patogjene të cilat shkaktojnë helmim me ushqim. Në mostrën e sallatës është identifikuar numri i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 3200 cfu gr/ml”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

IKSHPK ka rekomanduar aplikimin e masave më rigoroze gjatë përgatitjes së ushqimit në mënyrë higjienike (duke përfshirë pastrimin adekuat të perimeve dhe përpunimin adekuat termik të ushqimeve).

Gjithashtu kanë rekomanduar raportimin e menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi I sëmundjeve ngjitëse në Kosovë” (LNR: 02/L-109).

“Të gjithë operatorët ekonomik duhet t`iu përshtaten standardeve të përpunimit dhe përgatitjes së ushqimit ku në përpikëri duhet të zbatojnë procedurat e HACCP si dhe përmbushja e standardeve bazike higjienike. Mbikëqyrja sanitare dhe pajisja me libreza sanitare për të gjithë punëtorët si dhe respektimi I instruksioneve nga inspektoratet. Marrja e të gjitha masave higjienike të cilat do të pengonin mekanizmin fekalo-oral të përhapjes së sëmundjes duke përfshirë DDD”, kanë deklaruar nga IKSHPK.

Ndryshe, pesë ushtarë të FSK-së kanë shfaqur simptoma helmimi, para një jave, pas syfirit që kanë ngrënë në mensë. Kanë pasur dhimbje barku, por jo edhe vjellje apo jashtëqitje. 

Go to TOP