Hedhet poshtë aktakuza ndaj Allajbeut, Llukës dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, si dhe tre personave juridikë “American Hospital Kosova”, “Medbrand KS” dhe “Qendra Kardiale e Kosovës”, lidhur me akuzën për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve.

Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiale të Kosovës” bashkë me Korab Llukën, Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i “American Hospital Kosova” me Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj akuzoheshin se kanë shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkoheshin se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga ATK dhe Prokuroria Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Gjykatës, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” ka arritur afati i parashkrimit, kurse për “Shpëlarje të parave” nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën në fjalë, andaj hudhet aktakuza e PSRK-së dhe pushohet procedura penale ndaj të lartpërmendurve.

“…për arsye se ka kaluar afati i parashkrimit të veprës penale Falsifikimi i dokumenteve nga neni 390, par.3 lidhur me par.1 dhe nenit 31 dhe 37 të KPRK-së, kurse për veprën penale Shpëlarje e parave nga neni 308 lidhur me nenin 40 dhe 91 të KPRK-së dhe lidhur me nenin 56 par.1 nënpar 1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale“, thuhet në vendim.

Fillimisht, në vendim thuhet se Gjykata me rastin e pranimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kishte bërë kontrollin zyrtar të saj, dhe më 21 janar 2025 ka urdhëruar prokurorin që të plotësojë aktakuzën në afat prej 30 ditësh.

Më pas, prokurori i rastit Dren Paca më 28 janar 2025 ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjykatësit Vesel Ismaili nga gjykimi i rastit, e cila kërkesë më 13 shkurt 2025 është refuzuar nga kryetarja e Gjykatës, Albina Shabani-Rama.

Më pas, prokurori Paca më 19 shkurt 2025 ka paraqitur në Gjykatë aktakuzën e përmirësuar dhe Gjykata kishte caktuar më 20 mars 2025 mbajtjen e shqyrtimit fillestar, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas kësaj, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kishin të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Andaj, e akuzuara Edlira Galanxhi-Malaj përmes avokatit Naim Rudari, “Medbrand KS” Sh.P.K përmes avokatit Hajzer Salihu, Klodian Allajbeu me avokatin Haxhi Dërguti, “American Hospital Kosova” Sh.P.K, me avokatin Virtyt Ibrahimaga, “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.P.K, me avokate Vjosa Shkodrën, Ekrem Lluka me avokat Dastid Pallaskën, Korab Lluka me avokat Hasan Shalën dhe Igli Larashi, me avokatin Agron Selimaj, kanë parashtuar kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës, Gjykata ia ka dërguar Prokurorisë Speciale për përgjigje. PSRK-ja ka theksuar se provat janë mbledhur në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe se kërkesat e avokatëve për hudhje të aktakuzës janë të përgjithësuara, pa asnjë argument valid.

Sipas Themelores, të akuzuarit përmes avokatëve kanë kërkuar njëzëri hudhje e aktakuzës, me arsyetimin se është e ngritur jashtë afatit ligjor prej dy vitesh dhe se veprimet e të akuzuarve nuk përfshihen në vepra penale.

Për çka, Gjykata ka sqaruar se aktvendimi për fillimin e hetimeve është nxjerrë më 12 tetor 2022, kurse më 12 shtator 2023 është kërkuar afat shtesë për hetime, ku është vazhduar edhe për një vit, e më pas më 13 dhjetor 2024 Prokuroria ka ngritur aktakuzën, që sipas gjykatës, është brenda afatit ligjor.

Por, sipas Gjykatës, qëndron pretendimi se aktakuza e ngritur nuk është e mbështetur në prova.

Në vendim thuhet se të akuzuarit si persona përgjegjës në kuadër të personave juridikë, janë ngarkuar se kanë falsifikuar kontratën e datës 30 maj 2014 e lidhur mes “Qendrës Kardiale të Kosovës” dhe “Medbrand”, tutje, marrëveshjen për shitblerje e datës 23 tetor 2014 e lidhur mes “Medbrand” dhe “American Hospital Kosova”, tutje, faturën e datës 27 korrik 2015, kontratën për cedimin e llogarive të arkëtueshme e datës 23 dhjetor 2020, faturën me ankesin e kontratës për cendim të llogarive të arkëtueshme e datës 22 mars 2021, kontrata mbi konsignacionin e datës 25 korrik 2015, debit note e datës 23 dhjetor 2020, vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërisë Aksionare të American Hospital të datës 20 tetor 2014 dhe dokumentin Resolution by write- in ballot of the menagment board of the joint stock company American Hospital të datës 20 tetor 2014.

Aty thuhet se sipas aktakuzës, bëhet fjalë për kontrata të falsifikuara, përmes të cilave të akuzuarit kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, e të cila para i kanë shpëlarë duke blerë prona brenda dhe jashtë Kosovës.

Por, Themelorja vlerëson se nga rrethanat e përshkruara në aktakuzë, nuk bëhet fjalë për falsifikim të dokumenteve për faktin se të gjitha: kontrata, ankes-kontrata, marrëveshjet, fletëdërgesat, debit note, etj; janë të nënshkruara nga persona përkatës dhe nuk ka ndërhyrje në to.

Pa këto elemente, Gjykata thekson se nuk ka vepër penale të falsifikimit, e që me të drejtë, sipas Gjykatës, mbrojtësit kanë pretenduar se nuk elemente të veprës penale të falsifikimit të dokument nga veprimet e të akuzuarve.

Andaj, sipas Themelores, meqenëse nga të akuzuarit nuk është falsifikuar nënshkrimi i lëshuesit të dokumentit, nuk është devijuar vullneti i dhënësit të autorizuar të dokumentit duke ndërhyrë në përmbajtjen e dokumentit, dhe se nuk është përdorur dokumenti i falsifikuar duke qenë koshientë se është i falsifikuar. E që, kjo Gjykatë gjen se asnjëra si veprime nuk janë marrë nga të akuzuarit, që do të nënkuptonte se kishin kryer veprën penale për çka janë ngarkuar.

Gjykata ka gjetur tutje se Prokuroria ka cenuar parimin fundamental në të drejtën penale, duke mos aplikuar ligjin që ka qenë në fuqi kur të akuzuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të “Falsifikimit të dokumentit, për çka janë ngarkuar.

Kjo pasi, që të akuzuarit Prokuroria Speciale i ngarkon për falsifikim të dokumentit përgjatë vitit 2014 dhe 2015 kur në fuqi ishte Kodi Penal i vitit 2012, e që Prokuroria veprimet i ka cilësuar me Kodin Penal të vitit 2019, që është më i ashpër.

Gjithnjë sipas Themelores, për faktin se nuk ka vepër penale të falsifikimit të dokumentit, nuk mund të ekzistojë rrjedhimisht as vepra penale e shpëlarjes së parave.

Po ashtu, Gjykata ka gjetur se për disa nga veprat penale është arritur parashkrimi i ndjekjes penale bazuar në Kodin Penal të vitit 2012.

Në vendim thuhet se veprat penale pretendohet të jenë kryer gjatë vitit 2014 (pikat I, II dhe III të aktakuzës) dhe 2015 (pikat IV dhe V të aktakuzës), e që dënimi për to del të jetë mbi 1 vit deri 3 vite burgim, e që aktvendimi për fillim të hetimeve mban datën 12 tetor 2022, që do të thotë se është arritur parashkrimi i ndjekjes penale, sepse kanë kaluar 7 respektivisht 8 vite nga kryerja e veprave penale.

Më tej, në vendim thuhet se Prokuroria pretendon se me dokumentet e falsifikuara, të akuzuarit kanë fituar para, të cilat pastaj i kanë shpëlarë, por nuk ka dhënë sqarime se nga kush janë fituar, kush është i dëmtuar, të pandehurit veç e veç sa para i kanë fituar nga veprat penale, ku e kanë burimin këto para, ku i kanë pastruar, cilën pronë e kanë blerë me ato para e ku janë ato prona.

“Nuk është e mundur të fitosh para me dokumente të falsifikuara pa e dëmtuar askënd- logjikisht dhe objektivisht kjo është e pamundur”, thuhet në vendim.

Gjykata ka theksuar në vendim se Prokuroria Speciale nuk ka përmendur asnjë xhirollogari konkrete, asnjë transfer të realizuar nga paratë e supozuara si të pista. Kurse, thuhet se i është propozuar Gjykatës konfiskim i disa pronave pa u identifikuar ku ndodhen ato dhe pa argumente se me cilat prova ka vërtetuar se këto prona, transfere parash apo xhirollogari janë produkt i falsifikimit të dokumenteve.

Në fund, Gjykata ka njohur të drejtën e ankesës në afat prej 10 ditësh ndaj këtij vendimi.

Në seancën fillestare më 20 mars 2025, Ekrem Lluka, Korab Lluka, Klodian Allajbeu, Igli Larashi dhe Edlira Malaj, ishin deklaruar të pafajshëm.

Në aktakuzën fillestare të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, janë dhënë detaje se si këta pesë persona pretendohej se kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara, me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.

Edlira Malaj ngarkohej se ka falsifikuar dokumentin pasi si pronare e “Medbrand KS” kishe përdorur dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Malaj kishte përdorur dokumentin e falsifikuar- kontratën për shitblerje në mes të “Medbrand KS” dhe “American Hospital Kosova” e lidhur më 23.10.2014, ani pse “Medbrand KS” nuk kishte qenë si subjekt i regjistruar në atë kohë kur thuhet se është arritur marrëveshja.

Klodian Allajbeu aksionar në “American Hospital Kosova” dhe drejtori i këtij spitali, Igli Larashi akuzoheshin për falsifikim të dokumenteve, me arsyetimin se kishin përdorur dokumente të falsifikuara për shit-blerjen në vlerë prej 4, 703, 999, 98 (4.7 milionë euro) të datës 23.10.2014 në mes të shitësit “Medbrand Ks” dhe blerësit “American Hospital Kosova” dhe të njëjtat dokument ia kishin prezantuar  Administratës Tatimore të Kosovës. Në kohën kur është nënshkruar marrëveshje për shit-blerje, sipas aktakuzës, “Medbrand KS” nuk ishte si subjekt i regjistruar.

Pika tjetër e aktakuzës i ngarkonte Edlira Malajn, Igli Larashin dhe Korab Llukën i cili ishte përfaqësues i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se kanë nënshkruar dokumente të falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme. Ata ngarkoheshin se nënshkruan në mars të vitit 2021 “Kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 23.12.2020 dhe e përdorën duke ia dorëzuar ATK-së, me qëllim të vënies në lajthim se kinse kishin nënshkruar para se ATK kishte filluar procedurat hetimore ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Malaj, Larashi dhe Lluka kishin kryer këtë veprim me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të pagesës prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro nga ana e “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës”.

Veç kësaj, pika tjetër e aktakuzës e ngarkonte Klodian Allajbeun, Edlira Malajn dhe Korab Llukën për nënshkrimin e dokumentit të falsifikuar dhe të rremë si “Aneks kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 22.03.2021 me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të faturës mes “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës” në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkonte Edlira Malajn dhe Ekrem Llukën si pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se në bashkërkeyrje kanë nënshkruar dokument të falsifikuar dhe të rremë dhe të njëjtin ia kanë paraqitur AKT-së me qëllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në se kinse shitblerjen e pajisjesve nga “Qendra Kardiake e Kosovës” te “Medbrans Ks”.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkonte sërish Edlira Malajn bashkë me Korab Llukën për nënshkrim të dokumenteve të flasifikuara dhe të rreme me qëlllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në me qëllim për të justifikuar mosdeklarimin e faturës në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.

Klodian Allajbeu akuzohej se kishte përdorur tri dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Policinë e Kosovës me qëllim të vënies në lajthim të Policisë dhe Prokurorisë për blerje të pajisjeve nga “Medbrand KS” ne vlerë prej 4.703.999.98 euro, ishte marrë nga Bordi i “American Hospital Kosova” më 20 tetor 2014, edhe pse ishte në dijeni se me këtë datë “Medbrand KS” nuk ekzistonte si subjekt i regjistruar.

Pika tjetër i ngarkonte sërish Edlira Malajn, Klodian Allajbeun dhe Igli Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorë dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.482.000.00 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të maskojnë, të fshehin natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.

“Ashtu që e pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” kinse dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëcekur gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshaur nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.131.158.00, ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar në Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.

Kështu, aktakuza i ngarkonte për shpëlarje të parave Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llukën, Igli Larashin dhe Edlira Malajn.

“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”, e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.


Go to TOP