Haziri: LDK me pesë kandidatë nga Gjilani në zgjedhjet e 7 qershorit, zotohen për zhvillim dhe rikthim të madh politik
Lutfi Haziri ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po hyn në një proces të ri zgjedhor me synim rikthimin e saj të fuqishëm në skenën politike të vendit duke theksuar vlera si dashuria, dija, përgjegjësia dhe bashkëpunimi për të ardhmen e Kosovës.
Sipas Hazirit, Lidhja Demokratike e Kosovës synon një Kosovë stabile, të zhvilluar ekonomikisht, me mirëqenie sociale dhe demokraci të konsoliduar duke u bashkuar në dallime për një qëllim të përbashkët politik.
Ai ka prezantuar pesë kandidaturat e Degës së Gjilanit për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit: vetë Haziri, dr. Besim Guda, Gentrit Murseli, Valentina Bunjaku Rexhepi dhe Drenushë Maloku Bejtullahu.
“Zotohemi se do të jemi zëri juaj më i fuqishëm në Kuvendin e Republikës, dhe gardianë të projekteve zhvillimore të Gjilanit dhe Anamoravës,” ka deklaruar Haziri duke theksuar angazhimin për zhvillimin lokal dhe përfaqësim dinjitoz.
Ai e përmbylli deklaratën me mesazhin se LDK mbetet “besë e shpresë për Kosovën” duke kërkuar mbështetje për kandidatët e saj në këtë proces zgjedhor. /Kosova.info/
